5.5 C
Tirana
22 / 01 / 2026

Vokshi në Asamblenë e KE: Ne jemi strehë e krimit dhe rrezikojmë gjithë Evropën! Pastrojmë para…

Deputetja e opozitës, Albana Vokshi, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), e cilësuar Shqipërinë si një “strehë të sigurt për krimin e organizuar” dhe një burim të pasigurisë që rrezikon gjithë kontinentin.

Në fjalën e saj, Vokshi iu referua drejtpërdrejt raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e biznesit në Shqipëri, duke theksuar se vendi është i goditur nga korrupsioni sistemik dhe një fluks masiv fondesh të paligjshme, kryesisht nga trafiku i drogës.

Vokshi solli në vëmendje fenomenin e ndërtimeve të reja luksoze në qytetet kryesore, si Tirana, Durrësi, Vlora, Saranda dhe Himara. Ajo theksoi se këto resorte dhe kulla shërbejnë si mekanizëm thelbësor për pastrimin e parave të pista.

“Mbi 40 mijë apartamente janë bosh. Çmimet nga 3 mijë deri në 10 mijë euro për metër katror tregojnë të vërtetën: këto kulla nuk janë për shqiptarët, por janë mjete për pastrimin e parave të pista,” deklaroi Vokshi para Asamblesë.

Sipas deputetes, korrupsioni në prokurime, abuzimi me kontratat PPP dhe një gjyqësor i dobët kanë shtrembëruar konkurrencën, duke penguar investimet e huaja dhe duke i lënë bizneset përballë presionit nga administrata publike dhe grupet kriminale.

Deputetja theksoi se titujt ndërkombëtarë, përfshirë raportimet nga Amerika Latine për shkatërrimin e klaneve shqiptare që trafikojnë kokainë dhe pastrojnë miliarda euro përmes ndërtimit, dëshmojnë një problem më të madh.

“Ajo që është shqetësuese është bashkëpunimi i qeverisë dhe institucioneve shtetërore me krimin e organizuar, duke e shndërruar problemin e Shqipërisë në një problem evropian e më gjerë,” u shpreh ajo.

Vokshi paralajmëroi Këshillin e Evropës se pa veprime të forta, Shqipëria rrezikon trazira sociale, përplasje të dhunshme mes klaneve, emigrim masiv dhe eksport të pasigurisë në gjithë Evropën.

Në përmbyllje të fjalës, Albana Vokshi i bëri thirrje Asamblesë Parlamentare të dërgojë një mesazh të qartë dhe të fortë drejt Tiranës.

“Korrupsioni, pastrimi i parave, mbytja e medias dhe manipulimi zgjedhor nuk do të tolerohen. Evropa nuk mund të përballojë që të ketë një strehë të sigurt për krimin e organizuar,” përfundoi deputetja, duke nxitur Asamblenë të përdorë çdo instrument për të detyruar qeverinë shqiptare të luftojë krimin dhe të mbrojë demokracinë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x