8.5 C
Tirana
22 / 01 / 2026

Shkarkoi menaxherin pse kërkoi të ndalohej performanca e grupit pro-palestinez? Reagon Dua Lipa: Ja e vërteta

Ylli i pop-it Dua Lipa ka mohuar raportimet e mediave se ajo ka shkarkuar një nga agjentët e saj, pasi ai kishte tentuar të ndalonte grupin irlandez Kneecap të performonte në Glastonbury.

“Mail Online” pretendoi se Dua Lipa ishte ndarë nga David Levy, sepse ai kishte nënshkruar një letër ku i bënte thirrje organizatores së festivalit, Emily Eavis, të hiqte nga lista grupin rap për shkak të pikëpamjeve të tyre pro-palestineze.

Si Lipa, ashtu edhe agjencia e saj e talenteve “WME” e kanë quajtur historinë “kategorikisht të pavërtetë”, duke thënë se Levy kishte ndaluar së punuari me këngëtaren që në vitin 2019.

Në një deklaratë, Lipa kritikoi përpjekjen e Levy-t për të heshtur Kneecap, por tha se artikulli i “Mail” ishte “qëllimisht nxitës”, i “hartuar… për të ushqyer përçarje online”.

“Nuk i miratoj veprimet e David Levy-t apo të drejtuesve të tjerë të muzikës ndaj një artisti që flet të vërtetën e tij,” shkroi ajo në rrëfimin e saj në Instagram.

“Nuk mund të injoroj gjithashtu mënyrën si kjo është trajtuar në shtyp. Historia jo vetëm që ishte krejtësisht e pavërtetë, por gjuha e përdorur nga ‘Daily Mail’ ishte qëllimisht nxitëse, e ndërtuar thjesht për ‘clickbait’, qartazi e menduar për të ushqyer përçarje online”.

“Është gjithmonë ‘Free Palestine’,” shtoi ajo, “por shfrytëzimi i një tragjedie globale vetëm për të shitur gazeta është diçka që më shqetëson thellë.”

Në një deklaratë të veçantë për BBC, WME tha: “Raportimet që sugjerojnë se Dua Lipa ose menaxhmenti i saj kanë pushuar nga puna një nga agjentët tanë për shkak të pikëpamjeve të tij politike janë kategorikisht të pavërteta.”

Duke pranuar se Levy kishte luajtur një rol në “karrierën e hershme” të Lipës, agjencia tha se ai kishte mbetur pjesë e ekipit të saj “në rol këshillues” deri “më herët këtë vit” kur ai u përqendrua në projekte të tjera.

“Mail” më pas e ka përditësuar artikullin për t’i pasqyruar këto deklarata, duke korrigjuar gjithashtu një gabim të mëparshëm ku pretendonte se Levy ishte menaxheri i Lipës.

Që prej vitit 2022, menaxher i këngëtares është babai i saj, Dukagjin Lipa.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x