27 tetori është afati i fundit që ligji i ka vendosur presidentit të republikës për dekretimin e datës së zgjedhjeve lokale.
Opozita i kërkoi kreut të shtetit, që të mos publikonte datën e zgjedhjeve për ti dhënë kohë komisionit të reformës territoriale, por tani që komisioni dështoi, pritet që presidenti deri të enjten të firmosë datën e zgjedhjeve.
Sipas kodit zgjedhor, kreu i shtetit Begaj, mund të zgjedhë një prej të dielave të periudhës nga 15 prilli në 15 maj, por shumica e forcave politike në vend kanë propozuar 14 majin si datën kur do të zhvillohet beteja për 61 bashkitë e vendit. Nga momenti që publikohet dekreti presidencial për datën e zgjedhjeve, vihet në lëvizje mekanizmi për organizimin e procesit elektoral.
Brenda dy ditëve thirret në detyrë kolegji zgjedhor, i cili do të gjykojë të gjitha mosmarrëveshjet elektorale deri në daljen e rezultatit përfundimtar.
Brenda 5 ditëve fillon puna për hartimin e listave të zgjedhësve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, urdhëron zyrat e gjendjes civile të fillojnë procesin e hartimit të ekstraktit të përbërësve zgjedhorë.