Hangzhou, Kinë, korrik 2025
Krijimtaria e poetit të njohur shqiptar, Arian Leka, është vendosur në hyrje të ekspozitës ndërkombëtare “Nautical Poetics: Invitational Exhibition of Maritime Poetry”, oranizuar nga “Encyclopedic Poetry School”, në “Longfor Xixi Paradise Walk”, pranë Universitetit të Hangzhout. Ngjarja kulturore është vendosur në një prej qendrave më të rëndësishme të artit bashkëkohor në rajonin e Paqësorit – qyteti Hangzhou, Kinë. Kjo ekspozitë poetike monumentale, me titull simbolik ‘Për zemrat që guxojnë të panjohurën’, sjell për publikun një përzgjedhje të veçantë me 19 autorë ndërkombëtarë dhe zhvillohet në një format inovativ, që përfshin instalacione vizuale, teknologji interaktive. Krijimtaria e Arian Lekës është përkthyer në kinezisht nga poetja dhe kuratorja artistike e ekspozitës Yin Xiaoyuan.

“Poezia e Detit” – Një përvojë poetike interaktive në tinguj, imazhe dhe fjalë
Nga Besnik Bakiu
Në ekspozitën “Poezia e Detit”, vizitorët janë të ftuar të zhytën në një përvojë poetike unike dhe ndërvepruese, ku zëri dhe fjala e poetit Arian Leka shfaqen për herë të parë përmes platformës inovative “The Poetry Box”. Kjo pajisje multimediale u jep mundësi të gjithëve të dëgjojnë poezinë në gjuhën origjinale të autorit, ta lexojnë në kohë reale, ta shpërndajnë online me miqtë ose ta printojnë si kujtim – duke ndërtuar kështu një lidhje të drejtpërdrejtë, intime dhe të gjallë me poezinë. Platforma The Poetry Box nuk është thjesht një arkivë dixhitale: ajo është një dritare që sjell më afër ndjenjën, kujtesën dhe tingullin e vargjeve, duke kapërcyer distancat mes autorit dhe lexuesit, kudo që ai ndodhet.

Në këtë ngjarje prestigjioze, Arian Leka përfaqësohet me poezi nga vëllimi i tij i njohur “Hartë memece për të mbyturit”, me fokus të veçantë te cikli “Kripë fshehur në gjak” (Salt Hidden In The Blood). Ky cikël shpalos një poetikë të thellë detare – ku deti shndërrohet në metaforë të kujtesës, udhëtimit dhe tragjedive njerëzore – dhe vendos theksin mbi poezinë e Mesdheut si pjesë e identitetit dhe trashëgimisë kulturore. Ekspozita zhvillohet në një format bashkëkohor multimedial, ku poezia bashkëjeton me fotografi artistike, instalacione vizuale dhe teknologji interaktive, duke e kthyer vizitën në një udhëtim ndijor dhe kulturor që prek shqisat dhe kujtesën njëkohësisht.
Kripë fshehur në gjak: Vargjet e Arian Lekës, të ekspozuara në mure poetike ofrojnë një dritare të re për të kuptuar se poezia shqiptare, në veçanti ajo që buron nga Mesdheu, ka një identitet të fortë, universal dhe është gjithnjë e më e pranishme në hartën globale të artit bashkëkohor, prej së cilës, si titull ekspozite është vargu:
Me botën bëj luftë, me veten paqë;
With the world make war, and peace with yourself
和世界作战吧!但记得与自己讲和.

Ky varg nga Shqipëria në murin digjital të Hangzhou e bën poezinë e Arian Lekës pjesë të një udhëtim ndërkombëtar përmes ekspozitës “Nautical Poetics”. Muri digjital prej shtatë metrash, ku është ekspozuar poezia, në zemër të qendrës kulturore “Longfor Xixi Paradise Walk” në Hangzhou të Kinës, bën të dallueshme krijimtarinë e fuqishme me tematikë nga deti të poetit shqiptar Arian Leka. Ky varg tashmë pjesë e ekspozitës ndërkombëtare “Nautical Poetics: Invitational Exhibition of Maritime Poetry”, organizuar nga “Encyclopedic Poetry School”, fton audienca të gjera të ndalen dhe të dëgjojë një zë poetik të brigjeve shqiptare. Poezia “Salt Hidden In The Blood” është më shumë se një tekst letrar; është një thirrje për të kujtuar, për të reflektuar mbi lirinë, mbi humanitetin e plagosur dhe mbi detin – si lidhje universale, por edhe si metaforë e thellë ekzistenciale.
Arian Leka, një nga figurat më të dalluara të letërsisë bashkëkohore shqipe, e ka kthyer detin në qendër të universin poetik të tij – jo si një peizazh romantik, por si një kujtesë historike, si mall dhe si fatalitet që lundron nëpër gjenerata. Veprat e tij “Libër Deti” dhe “Hartë memece për të mbyturit” janë cilësuar nga kritikët letrarë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, si ndër përmbledhjet më të rëndësishme poetike pas viteve ’90. Me një gjuhë të dendur, të kthjellët, shpesh kinematografike, ato ndërtojnë një botë ku deti nuk është më një horizont largësie, por një pasqyrë e përbashkët e kujtesës dhe dhimbjes. Poezia që tani udhëton drejt syve të publikut ndërkombëtar është përkthyer në anglisht nga Fiona Sampson, një ndër zërat më të njohur të kritikës poetike evropiane, dhe në kinezçe nga Yin Xiaoyuan, poete dhe kuratore e ekspozitës – dy përkthyese që i japin vargut të Lekës një jetë të re përtej gjuhës amtare. “Salt Hidden In The Blood” nuk është thjesht një poezi e ekspozuar në mur – është një urë që lidh brigjet e letërsisë shqiptare me audiencat ndërkombëtare, një kujtesë se fjala poetike, kur lind nga thellësia, mund të kapërcejë çdo kufi.
We could’ve been free
If the waves hadn’t pulled back.
We were stranded on the islands.
Closed up like shells. This was the mistake. The first one.
我们早该获得自由如果不是大浪被撤回
我们搁浅在岛屿上海蚌一般关闭
这是一个错误,第一个错误故事的延伸,宿命为何难以摆脱
并不重要

“Auschwitz detar” – Një poemë europiane me zë shqiptar
Në qendër të vëmendjes së kritikës ndërkombëtare është edhe poema “Auschwitz detar”, pjesë e të njëjtit cikël poetik, e përkthyer deri më sot në trembëdhjetë gjuhë: anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, greqisht, kroatisht, serbisht, rumanisht, maqedonisht, boshnjakisht, kinezisht dhe në gjuhën malazeze. Poema është performuar në skena kulturore të njohura në Stokholm, Këln, Beograd, Vjenë gjatë vitit 2022-2023 dhe së fundmi në Tiranë, në një performancë të veçantë poetike në mars 2024. Kjo vepër është vlerësuar gjerësisht për mesazhin e saj universal dhe për metaforën e fuqishme të detit si kamp përqendrimi bashkëkohor, që bart tragjeditë e migrantëve të mbytur në Mesdhe.
Sipas Dr. Lidija Dimkovska, poema “është një dëshmi e thellë e fatit të njeriut në kushtet e politikës çnjerëzore… një klithmë me të cilën poeti shpreh besim humanist te fjala mes tragjedisë së së tashmes.” Kritika europiane ka vlerësuar gjerësisht këtë vepër për qasjen e saj novatore, fuqinë emocionale dhe thellësinë etike.
Disa nga vlerësimet e vijnë si në vijim: “Një vepër komplekse, e dhimbshme dhe thellësisht njerëzore… ku deti bëhet arketip i gjithë shpërnguljeve njerëzore.” (Stella Sacchini – Il Fatto Quotidiano, Itali); “Ky libër është një varkë shpëtimi për shpirtrat e mbytur në det… një poemë epike, një vajtim i madh që u jep zë viktimave pa emër.” (Dr. Jorinde Reznikoff, Gjermani); “Arian Leka na tregon se Auschwitz-i përsëritet… Poeti beson se fjala është ende në gjendje të shpëtojë jetë.” (Revista “Souffle Inédit”, Francë); “Në këtë libër, deti vjen si një Leviathan poetik dhe mitik… një peizazh i përbashkët për të gjithë Mesdheun dhe kujtesën njerëzore.”
(Botimi në greqisht, Plethora, 2023): “Ne kemi një fjalë për atë që ka ndodhur me njerëzit në Auschwitz, por ende nuk kemi asnjë fjalë për atë që ka ndodhur në det, por unë jam e vetëdijshme se ky titull ka arritur kufijtë e tij,” shprehet përkthyesja e poemës në gjermanisht, Zuzana Finger. Poema “Auschwitz detar” është vendosur gjithashtu në repertorin e leximeve publike dhe teatrore në disa qytete europiane, si një kritikë poetike ndaj indiferencës perëndimore ndaj tragjedive të emigrantëve.

Përfaqësim institucional i letërsisë shqiptare: Prania e shkrimtarit Arian Leka në një nga ekspozitat më të avancuara të artit poetik bashkëkohor në Hangzhou, Kinë, nuk është thjesht një përfaqësim individual. Ajo është një dëshmi e qartë se letërsia shqipe po zë vendin e saj në hartën kulturore globale, jo vetëm si tekst, por si përvojë, si ndërveprim, si zë që depërton përtej kufijve tradicionalë të librit të shtypur.
Kjo pjesëmarrje shënon një hap të rëndësishëm për përfaqësimin institucional të letërsisë shqiptare, e cila sot po komunikon në formate të reja dhe më të gjithanshme, që nga ekspozitat interaktive, tek instalacionet poetike, deri te dialogu i drejtpërdrejtë me audiencat ndërkulturore. Falë ekspozitës “Nautical Poetics: Invitational Exhibition of Maritime Poetry”, oranizuar nga “Encyclopedic Poetry School”, në “Longfor Xixi Paradise Walk”, poezia nuk është më vetëm varg i lexuar, por një përvojë shumëdimensionale, një urë që lidh gjuhë, kujtesa dhe ndjeshmëri kolektive.

Krijimtaria e Arian Lekës sjell në këtë skenë botërore një zë të fuqishëm e të veçantë shqiptar, i cili flet për përvojën e emigrimit, për kujtesën historike dhe për identitetin mesdhetar, duke i artikuluar këto tema përmes gjuhës së artit bashkëkohor. Është një zë që ruan autenticitetin, por që njëkohësisht di të përshtatet me formatet më të reja të komunikimit kulturor. Pjesëmarrja në ekspozitën ndërkombëtare të Hangzhou-s është më shumë se një sukses individual: është një konfirmim i vlerave të letërsisë shqipe në një nga platformat më prestigjioze të artit poetik ndërkombëtar. Ajo dëshmon qartë se kultura shqiptare, përmes poezisë, artikulon përvoja universale dhe të dalë nga zona e inercisë, për t’u vendosur në qendër të dialogut global.