Prestigjiozja britanike “The Telegraph” ka renditur Shqipërinë në krye të listës së saj me 10 destinacionet më të mira evropiane për pushime në plazh, duke e krahasuar denjësisht me emra të mëdhenj si Algarve apo Majorka. Sipas artikullit, Shqipëria ofron bukuri natyrore mbresëlënëse, qetësi dhe çmime të përballueshme – një alternativë ideale ndaj vendeve të mbipopulluara turistike.
Ishujt Ksamil – Perla Joniane
Në jug të Shqipërisë, përballë Korfuzit, ndodhen ishujt e Ksamilit – një grup plazhesh me rërë të bardhë dhe ujëra të kristalta, të arritshëm me varkë ose edhe me not për më aventurierët. Këtu mund të qëndroni në fshatin turistik të Ksamilit dhe të vizitoni Butrintin, një nga thesaret arkeologjike të UNESCO-s.
Dhërmi – Riviera Shqiptare në formën më të bukur
Plazhi i Dhërmiut ofron një miks të rrallë mes natyrës, historisë dhe luksit të qetë. Me ujëra të kaltër dhe peizazhe mahnitëse nën malin Ceraunian, Dhërmiu është vendi ku shijohen shezlongët buzë detit dhe ku kuzhina shqiptare shkëlqen me prodhimet e freskëta të detit. Për më shumë natyrë të egër, eksploroni plazhin Gjipe, vetëm pak kilometra më në jug.
Liqeni i Shkodrës – Midis natyrës dhe historisë
Në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi shtrihet Liqeni i Shkodrës – liqeni më i madh në Evropën Jugore. Me ujëra të kthjellëta, peizazhe të gjelbëruara dhe qetësi absolute, ky vend ofron mundësi për pushime ndryshe: nga kajaku dhe eksplorimi i natyrës, deri tek shijimi i peshkut të freskët në një kafene buzë liqenit.
Liqeni i Ohrit – Magjia midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut
Liqeni i Ohrit, një tjetër pasuri natyrore e përbashkët mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, është një destinacion që ofron plazhe të qeta, ujë të ëmbël dhe një atmosferë historike. Një vend perfekt për ata që kërkojnë kombinimin mes kulturës, relaksit dhe natyrës së paprekur.
- Zjarret në vend/ Ngrihet nga Baza e Kuçovës droni Bayraktar, monitoron zonat e prekura - 27/06/2025
- “The Telegraph” rendit Shqipërinë në ‘Top 10’: Ofron bukuri përrallore dhe çmime të përballueshme - 27/06/2025
- “Uraniumi iranian i shpëtoi bastisjeve.” Ajatollahët e fshehin atë në laboratorë të rinj sekretë - 27/06/2025