Nga Luan Rama
Në të dy “kohët”; përgjatë viteve kur isha i angazhuar të shërbej në politikë dhe në qeverisje, edhe tani kur si gazetar bëj një emision timin në ekranin e televizionit OraNews, rasti ma ka sjellë të njoh shumë prej atyre që u vetëquajtën analistë, e që mandej u vetëshpallën e shfaqen gjithmonë si të tillë. Me disa syresh kam edhe miqësi, sepse realisht janë miq të mirë.
Mirëpo as miqtë, dhe as ata të tjerët, nuk reshtin e as nuk lodhen të shfaqen ekraneve e të flasin për gjithçka e për çdo gjë.
Kur flasin për politikën e këtushme dhe atë në Kosovë, se fundja jemi përballë saj të gjithë e të gjithëve ne qeverisin ata që bëjnë politikë, ca në qeverisje e ca në opozitë, ç’ka për rrjedhojë ka bërë që të gjithë të ndjehemi politikanë, edhe përpiqem t’i kuptoj. Mirëpo, edhe për tema me ndjeshmëri të madhe si ato të korrupsionit apo luftës kundër krimit, për SPAK-un dhe policinë; edhe për krizën tonë të besimit apo për mortajën që ka zënë bagëtitë e imëta, për koncensionet dhe inceneratorët, por, edhe për luftën mes Izraelit dhe Iranit po ata, të njejtët?! Si mundet?!
Pa asnjë drojë prej injorancës e mosnjohjes së problemeve që mbart e shfaq një luftë mes dy a më shumë shteteve, pa asnjë grimë vetëpërmbajtje dhe respekti ndaj vetes, pa skrupujt më minimal që kërkon nderimi për shikuesit a lexuesit, këta edhe ata, pra analistët, që prej kur Izraeli sulmoi Iranin e ditëpërditë dhe natëpërnatë, flasin e përflasin, komentojnë dhe parashikojnë, a thua se kanë kryer akademitë ushtarake më me emër në botë apo janë specializuar në qendrat më të mëdha botërore të çështjeve të sigurisë e politikave të mbrojtjes, e janë njohësit më të zotë të doktrinave ushtarake, të strategjive të luftimit, llojeve të armëve e kështu me rradhë.
Profesor Artan Fuga rreket pa e vrarë shumë mendjen për elegancën e të shprehurit që t’ua mësojë “sinorët” këtyre gjithëditunarëve të ekraneve tona, por mëtimi i tij intelektual nuk ia del që ta çajë korracën e injorancës, brenda të cilës ata vetëndjehen e vetëshpallen të zotët për gjithçka.
Le të përpiqet sa të dojë profesori që të shpjegojë se ka filluar numërimi nga e para e nuk jemi në kushte historike e gjeostrategjike për të folur për Luftë të Tretë Botërore, ata prapë do të thonë e do të bëjnë atë që kanë ata në mendje. Pa e vrarë mendjen dhe pa menduar se çfarë thonë. Për ta e rëndësishme është të jenë në ekran e populli t’i shohë.
Sensi i masës është një komponent shumë i rëndësishëm i vetëdijes së njeriut. Kur nuk e ke, dëshmon tërësinë e shumë defekteve. Dhe kur merr përsipër mandej të dalësh nëpër ekrane edhe si analist, për gjithçka e për çdo gjë, dëmin ndaj vetes e bën edhe dëm ndaj të tjerëve.
Ndërsa po ndiqja emisionin e një kolegu, vura re se ndër të ftuarit ishte edhe njëri që në shtatë ditë të javës, gjashtë i ka nëpër ekrane. Nga një ekran në tjetrin, ky analist flet për çdo gjë. Edhe në emisionin të cilit po i referohem, e vura re të fliste gjithë “kompetencë” për detaje që sipas tij kishin të bënin me fatin e Ali Khameneit, liderit suprem të Iranit, a thua se gjatë kohës kur Presidenti i SHBA Donald Tramp shpalli armëpushimin, ky kokëboshi, kinse i impostuar si intelektual, kishte qenë bashkë me ajetullahun plak në të njejtin vend ku qëndron i fshehur kleriku që drejton republikën islamike.
Pa asnjë dyshim, përcjellja e informacionit, komentet dhe analizat mbi çfarë ndodh në teatrin e luftimeve apo se çfarë gatuhet në korridoret e diplomacive, faktorët e rriskut dhe prognozat e luftimeve, epërsitë e njërit apo vështirësitë e tjetrit, u duhen dhënë shikuesve.
Po për këto tema e të ngjashme me to që kanë të bëjnë me luftën, forcat apo armët e angazhuara, duhet të thirren specialistë që njohin diplomacinë, që njohin politikat e sigurisë e të mbrojtjes, që njohin doktrinat ushtarake, strategjitë e taktikat e luftimit.
Në të kundër, dëshmojmë mungesë respekti për shikuesit, por edhe mungesë respekti për veten dhe profesionin që kryejmë.
Në Shqipëri ka plot vajza e djem të zotë që i njohin shumë mirë konjukturat gjeostrategjike, interesat e prioritetet e palëve në konflikt apo potencialisht të tilla, që dinë strukturat e forcave të armatosura dhe se si janë të organizuara ato. Ka njohës shumë të mirë të realiteteve përkatës dhe të historisë së marrdhënive të vendeve të Lindjes së Mesme apo të interesave të fuqive të tjera në atë pjesë të botës tonë, të cilët mund e duhet të gjejnë hapësirë, mendimi i të cilëve padyshim që mund t’i vlejë shikuesve shumë më tepër nga çfarë ofrojnë ata e këta, analistët.
Çfarë ndodh nëpër emisionet e shumë televizioneve tona, nuk e sheh në asnjë televizon tjetër. Ndër ata prestigjozët në SHBA, në Italinë fqinje apo në Europë e gjetiu jo e jo.
Çfarë ndodh tek ne është një marrëzi e tërë.
E gjithë kjo më kujton historinë e përmbledhur në shprehje e famshme latine që na vjen prej lashtësisë: “Ne sutor, ultra crepidam!” (Këpucar, rri tek këpuca!).
Historia lidhet me piktorin e famshëm të kohës së vet, Apelles.
Ndër shikuesit e një ekspozite ku piktori i famshëm kishte ekspozuar një pikturë të tij, qe edhe një këpucar, i cili pasi vërejti një defekt tek këpucët e personazhit të tabllosë së pikturuar nga Apelle, iu afrua piktorit dhe i bëri vërejtjen e tij. Piktori e falenderoi me përzemërsi, pasi vërejtja iu duke me vend. Mirëpo këpucari nuk u mjaftua me aq. Ai mori zemër e filloi t’i bënte vërejtje edhe për elementë të tjerë të pikturës.
Duke parë revanin e këpucarit që nuk po ndalej, piktori i famshëm i tha: “ – Këpucar, rri tek këpuca!”.
Morali është i qartë. Nuk ma do mendja se duhet shpjeguar më tej. Se mandej do të duhet shpjeguar edhe se përse Ksanti e pyeste Ezopin pas çdo fabule që fabulisti i famshëm i tregonte, se çfarë do të thotë kjo Ezop?…
- Opinion: 12 DITË LUFTË, 112 ANALISTË DHE AKADEMIKU ARTAN FUGA… - 25/06/2025
- Samiti i NATO-s/ Hasani takohet me Rubion: Vlerësojmë rolin udhëheqës të SHBA-së në zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme - 25/06/2025
- Trump zbulon bisedën me Putin: Ishte shumë i sjellshëm, më ofroi ndihmë për Iranin, por i thashë se më duhet për Rusinë - 25/06/2025