Agjencitë e sigurisë në Greqi dhe Qipro kanë zbuluar një rrjet spiunazhi iranian që kishte targetuar instalimet ushtarake të NATO-s.
Në këtë operacion janë arrestuar dy shtetas azerbajxhanas.
Të dy rastet nuk janë zyrtarisht të lidhura me njëra-tjetrën.
Megjithatë, zyrtarët grekë e lënë të hapur mundësinë që të dyshuarit e arrestuar në Greqi dhe Qipro mund t’i përkasin të njëjtit rrjet spiunazhi.
Policia greke njoftoi të dielën se arrestoi një 26-vjeçar azerbajxhanas në Kretë me akuzën për spiunazh, pasi u kap duke fotografuar bazën strategjike detare të Sudës dhe ndiqte lëvizjet e anijeve luftarake.
I dyshuari, me dokumente udhëtimi polake, kishte marrë me qira për një muaj një dhomë hoteli me pamje nga baza, që e kishte paguar me para në dorë.
Vetëm dy ditë më parë, autoritetet qipriote arrestuan një shtetas 40-vjeçar azerbajxhanas në Pafos me akuzën për spiunazh dhe terrorizëm.
Dokumentet e gjykatës zbulojnë se ai kishte kontakte me Korpusin e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) dhe po fotografonte instalimet ushtarake britanike.
Sipas mediave greke, i dyshuari nga Kreta mbërriti në Greqi në janar dhe u zhvendos në Kretë më 18 qershor.
“Inteligjenca greke (EYP) u informua nga një burim i jashtëm, ndoshta CIA ose Mossadi i Izraelit. Gjatë mbikëqyrjes, ai dilte rrallë nga dhoma e tij përveç rasteve të veçanta dhe i kishte kërkuar stafit të hotelit që të mos e vizitonin në dhomën e tij”, shkruan Ekathimerini.
Kur u arrestua më 22 qershor, autoritetet gjetën kamera, telefoto me rezolucion të lartë, telefona celularë, laptopë, karta memorieje dhe disqe USB.
Burime të inteligjencës thonë për mediat greke se ai kishte bërë afërsisht 5 mijë fotografi, të cilat ia kishte transmetuar marrësve të panjohur duke përdorur softuer enkriptimi.
I dyshuari nga Qipro ishte zhvendosur atje që prej muajit prill duke marrë me qira një apartament luksoz në Limasol nga i cili fotografoi bazën britanike.
Ai udhëtoi për në Pafos më 20 qershor pas raportimeve në media rreth vendosjes së avionëve të transportit amerikan.
Të dy të dyshuarit refuzuan bashkëpunimin dhe kërkuan të mbrohen nga avokatët e tyre.
Zyrtarët grekë vënë në dukje lidhjet tradicionalisht të ngushta të Azerbajxhanit me Iranin dhe kujtojnë një rast të vitit 2021 kur një 41-vjeçar azerbajxhanas, Orkhan Asadov, u akuzua për komplot për të vrarë një biznesmen izraelit në Qipro me urdhër të IRGC-së.
- Konflikti në Lindjen e Mesme, ambasadori i Izraelit në OKB: Bisedimet diplomatike me Iranin do të zhvillohen së shpejti - 25/06/2025
- Dorëzohet Irani, shpall fundin e luftës 12-ditore: Të gatshëm për negociata! - 25/06/2025
- Inteligjenca e SHBA “grusht” Trumpit: Programi bërthamor i Iranit nuk u shkatërrua, u shty me disa muaj - 25/06/2025