Juristi Kreshnik Spahiu tha sot për emisionin “Frontline” në Report Tv se pretendimi i PD-së për “Trenin Bullgar” janë një lojë politike dhe alibi që nuk qëndron dhe nuk shkon me realitetin.
Kjo sepse vetë PD-ja kishte numërues dhe komisionerë në çdo qendër e qark dhe është e pashpjegueshme sesi asnjë prej tyre nuk e kapën me prova këtë “lokomotivë’ në 300 mijë vota diferencë me PS-në.
“Parimisht dua të them dhe tërheq vëmendjen publikut që të mos kompleksohet dhe shpërqëndrohet nga ky teatër pasi PD dhe Sali Berisha do i njohë zgjedhjet pavarësisht se çfarë thonë. Ata në shtator do të jenë në Kuvend dhe do legjitimojnë zgjedhjet sapo të hyjnë dhe betohen në Parlament. Pra nëse shkon atje bashkë me shpurën e tij, ai automatikisht i njeh zgjedhjet. Kjo është lojë dhe rezultat i paracaktuar”, u shpreh ai për ‘Frontline’ të moderatores Marsela Karapanço.
Por juristi e sheh më shumë si një rezultat të paracaktuar mes dy liderëve të partive, në marrëveshje para zgjedhjeve.
“Rama mori sa deputetë deshi, Berishës i dha aq sa deshi. Futën në lojë ata që deshën në lista dhe si deputetë dhe nxorën ata që nuk u bënin punë. Shkrinë Ilir Metën me PL që kishte 19 deputetë dikur, shkrin Lulzim Bashën që mandatin e fundit pati 65 deputetë dhe Shpëtim Idrizin”, vijoi Spahiu.