26.5 C
Tirana
04 / 08 / 2025

Koha për justifikime mbaroi

Nga Ledio Alite

Përkundër të gjithë sfidave, kritikave dhe pasigurive, më në fund, po dëshmojmë një pushtet gjyqësor të guximshëm për të mbajtur një nga shtyllat e tre pushteteve të republikës. 

Ata po punojnë. Ditë edhe natë. Dhe rezultati i kësaj pune afërmendsh është në interesin e të gjithëve. Po ne, qytetarët, pas kaq shumë vitesh justifikime se në këtë vend nuk ka drejtësi, si do t’i përkrahim ata?

Me siguri, jo vetëm duke thënë një fjalë të mirë, nuk do ishte e mjaftueshme. 

Pas kaq shumë vitesh në të cilat pushteti politik ka dominuar jetën e qytetarëve, më në fund duket se po vjen shansi i artë për ta, jo për të shkuar në Hënë, po për të zgjedhur të lirë, e kjo nuk është pak. 

Sot, thelbi i këputjes së zinxhirit të varësisë midis një qytetari dhe një politikani, është pikërisht thyerja e mitit të paprekshmërisë së politikanit, zhveshja e tyre nga petku i pushtetit absolut duke i shpërfaqur në atë që ata vërtetë janë, thjesht shërbëtorë të njerëzve.

Dhe kjo me siguri, është e shëndetshme edhe për botëkuptimin e ri të politikanit, sepse të shërbesh e jo të vjedhësh, është nder dhe privilegj. 

Pra, sjellja që ne si qytetarë duhet të ndërtojmë në përgjigje të shërbimit që po na bëjnë organet e pushtetit gjyqësor, është që minimalisht të ngrihemi ne nivelin e integritetit të tyre moral, duke u bërë të pakompromis, duke mos e shitur më bindjen tonë me mendimin se nuk kemi rrugë tjetër, kur ndërkohë me shumë gjasë të gjithë po shkojmë të barabartë përpara ligjit.

Në çfarëdo zgjedhje që të ndërmarrim, mjafton që këtë ta bëjmë të lirë, duke vlerësuar ofertën politike, situatën ku ndodhet vendi dhe nevojat e tij, besueshmërinë e përfaqësuesve të ofruar, konsumin e figurave politike, si dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme, boshtin tonë personal të bindjes politike, djathtas apo majtas qoftë ai. 

E ndoshta kjo është koha që pas reformës në drejtësi, reforma më e thellë në shoqërinë tonë të jetë ajo politike, për të mos e përzier më kurrë konceptin e politikës me krimin, konceptin e partisë me biznesin. Një kohë kur i djathti dhe i majti të dëbatojnë fort, e megjithatë të ndajnë një lagje me të njëjtën ndjeshmëri për ta bërë atë më të mirë sipas botëkuptimeve të tyre. Një kohë e re e përplasjes së ideve për zhvillim, e jo luftës e babëzisë për t’u shumuar në kurriz të djersës së njerëzve, e më e rëndësishmja në kurriz të një vendi, që na rriti, që na ngriti, që na ngopi, e që na dëndi.

Drejtësi po jepet, koha për justifikime mbaroi.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x