Vendimi i qeverisë shqiptare për të mbyllur për një vit TikTok-un solli reagim të platformës në mediat ndërkombëtare, të cilat i bënë jehonë kësaj mase të deklaruar nga kryeministri Edi Rama.
Agjencia e lajmeve Reuters citon platformën, e cila përmes zëdhënësit të saj është shprehur se kërkon “sqarime urgjente” nga qeveria shqiptare.
“Ne nuk gjetëm asnjë provë që autori ose viktima të kishin llogari në TikTok dhe raportimet e shumta kanë konfirmuar në fakt se videot që çuan në këtë incident po postoheshin në një platformë tjetër, jo në TikTok”, tha kompania.
Të njëjtin reagim TikTok e ka dhënë edhe për mediat e tjera ndërkombëtare si BBC, The Guardian apo Al Jazeera.
BBC shkruan se bllokimi i TikTok vjen pas një muaji nga vrasja e nxënësit 14-vjeçar në një shkollë në Tiranë, e cila i kishte fillesat në një konflikt që nisi në rrjetet sociale. Vrasja ndezi një debat në Shqipëri mes prindërve, psikologëve dhe institucioneve arsimore për ndikimin që kanë rrjetet sociale tek të rinjtë.
Britanikja The Guardian citon deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë që thotë se kjo masë do të jetë për një vit, ndërsa ka fajësuar mediat sociale dhe TikTok në veçanti, për nxitjen e dhunës mes të rinjve brenda dhe jashtë shkollës.
Ndërkaq në artikullin e saj britanikja The Guardian citon deputeten e opozitës Ina Zhupa që e cilëson këtë një vendim diktatorial dhe akt të rëndë kundër lirisë së fjalës dhe demokracisë.
TikTok është tashmë i ndaluar në Indi, i cili ishte një nga tregjet më të mëdha të kësaj platforme. Është gjithashtu i bllokuar në Iran, Nepal, Afganistan dhe Somali.
TikTok po lufton gjithashtu kundër një ligji të miratuar nga Kongresi Amerikan, i cili do ta ndalojë aplikacionin nga 19 Janari, nëse nuk shitet nga ByteDance, kompania e saj mëmë kineze.
Disa vende evropiane, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Belgjikën, kanë vendosur kufizime në përdorimin e mediave sociale për fëmijët. Australia miratoi në Nëntor një ndalim të plotë të mediave sociale për fëmijët nën 16 vjeç.
- Dhjetori i festave në Lezhë, Rama: Aty ku Simboli i Betlehemit është ngritur për herë të parë pranë “Fshatit të festave” - 22/12/2024
- “Gjykata e Lartë na dha të drejtë”, Meloni: Të hënën do të shohim si do të procedojmë me Shqipërinë për emigrantët - 22/12/2024
- Rama njoftoi mbylljen për 1 vit, reagon TikTok: Do kërkojmë sqarime nga qeveria shqiptare - 22/12/2024