Nga Brixhilda Deda
Në vitin 2021, një vajze vetëm 24-vjeçare iu besua mikrofoni i një televizioni me të cilin ishte rritur. Një përgjegjësi e madhe, një sfidë jo e lehtë dhe një përvojë që do të mbetet gjithmonë pjesë e imja.
Në këto katër vite kam përcjellë histori të vështira, përmbytje, ngjarje të rënda, zgjedhje e pasojat e tërmetit, por edhe histori të bukura, turizmin, traditat dhe njerëzit e jashtëzakonshëm të Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit.
Mirënjohje Top Channel për këtë mundësi të artë, Altin Krekas për besimin që më dha kur sapo kisha përfunduar universitetin dhe Erina Matraxhiut për çdo këshillë, mësim dhe mbështetje që më ndihmoi të formohesha si gazetare.
Faleminderit çdo kolegu, bashkëpunëtori dhe mbi të gjitha çdo banori të këtij qarku që më hapi derën, më besoi historinë e tij dhe më dha mundësinë të bëhesha zëri i shqetësimeve dhe problematikave të tij. Shumë prej jush sot nuk jeni më thjesht personazhe të kronikave, por miq që do t’i ruaj gjatë.
Vajza 24-vjeçare që nisi këtë rrugëtim sot largohet më e rritur, më e formuar dhe më e plotësuar në çdo drejtim. Sepse ky profesion nuk më dhuroi vetëm përvojë, miqësi dhe kujtime, por edhe një nga gjërat më të bukura të jetës: përmes tij njoha njeriun e jetës sime.
Faleminderit familjes time për të gjithë mbështetjen.
Largohem me mirënjohje për gjithçka që mora dhe me emocion për gjithçka që vjen.
Lezha dhe njerëzit e saj do të më mungojnë shumë!
Një kapitull mbyllet. Një tjetër sapo fillon!
Një falënderim i veçantë për Top News për mundësinë, besimin dhe hapësirën që më dha për të vijuar rrugëtimin tim profesional në një tjetër fushë të gazetarisë, atë në politikë.