Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratuan sot disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendhme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”.
Të ftuar për të bërë shpjegimin e projektligjit ishin Andi Mahila, zëvendësministër në ministrinë e Brendshme dhe Florian Sulejmani, drejtor i vetting-ut në AMP.
Mahila shpjegoi qëllimin e këtij projektligji, që sipas tij, “ka të bëjë me dhënien e një kontributi real për afirmimin e punonjësve profesionistë dhe me integritet të lartë të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, nëpërmjet zbatimit të parimit të integritetit, rritjes profesionale dhe garantimit të një karriere të drejtë dhe të bazuar në meritokraci, duke krijuar në vazhdimësi institucione të forta dhe të besueshme”.
Bashkërelatorët e projektligjit Nasip Naço dhe Toni Gogu vlerësuan ngritjen e kësaj strukturë të përhershme pranë AMP-së për vlerësimin kalimtar dhe periodik në vazhdimësi e cila do të kryejë një vlerësim të integruar të të gjithë komponentëve, pasuror, profesional, integritetit.