20.5 C
Tirana
18 / 10 / 2024

Bardhi padit Ballukun në SPAK: Grabiti 180 milionë euro me shtijën e energjisë elektrike

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka paditur sërish në SPAK zv.kryeministren, njëherësh Ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Bardhi akuzoi Ballukun se në një vit shkaktoi rreth 180 milionë euro humbje për shtetin me shitjen e energjisë elektrike, duke favorizuar kompanitë pranë saj dhe duke shmangur shitblerjen e energjisë elektrike në bursë.

“Jam sot këtu para jush për të denoncuar publikisht dhe, më pas, për t’i kërkuar SPAK-ut hetimin e një prej skemave më korruptive të kësaj qeverie, shitblerjen e paligjshme të energjisë elektrike me një abuzim që vetëm për 1 vit, llogaritet në mbi 180 milionë euro. Përgjegjësja kryesore për zbatimin e kësaj skeme korruptive që vjedh buxhetin e shtetit dhe kalon miliona euro në llogaritë e 4-5 kompanive private është Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku.  Në informacionin që grupi parlamentar i Partisë Demokratike i ka vënë në dispozicion Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, shpjegohen me detaje dhe paraqite me dokumente të gjitha veprimet dhe mosveprimet e Belinda Ballukut, e cila ka lejuar që energjia elektrike të shitet me humbje jashtë tregut të Bursës, në kundërshtim me ligjin dhe vendimet në fuqi, duke vjedhur hapur qytetarët shqiptarë.  Ministrja e Energjisë është Kryetare e Asamblesë së Përgjithshme të KESH-it, personi përgjegjës që firmos për shpenzimet dhe bilancet e kompanisë. Pa miratimin e Belinda Ballukut, skema okulte e shitblerjes së energjisë jashtë bursës dhe abuzimi me miliona euro do të ishte ndalur. Ministrja e Energjisë, si kryetare e Asamblesë së Përgjithshme të KESH-it nuk ka marrë asnjë masë për të ndaluar praktikën e paligjshme të shitblerjes së energjisë jashtë bursës, me një dëm të frikshëm prej gati 16 milionë euro vetëm për periudhën e analizuar nga ana jonë. Por skema korruptive me shitblerjen e paligjshme të energjisë elektrike jashtë bursës në përfitim të pak kompanive private nuk përfundon këtu. Kjo është vetëm maja e ajsbergut”, tha Bardhi.

Në një deklaratë për mediet, Bardhi akuzoi se KESH ka falsifikuar të dhënat e dorëzuar tek Enti i Energjisë, për të fshehur tregtinë e paligjshme me energjinë, e cila shitet me çmime të ndryshme për fasha orari të ndryshme. Bardhi shtoi se dëmi i bërë buxhetit të shtetit nga kjo shitje është rreth 6 milionë euro, ndërsa abuzime janë bërë edhe me shifrat e humbjes së energjisë në rrjet.

“Me vendosjen në funksion të Bursës shqiptare të Energjisë vitin e kaluar, Koorporata ElektroEnergjitike Shqiptare kishte detyrimin ligjor të tregtonte në bursë energjinë e pakontraktuar, por kjo nuk ka ndodhur. Raportet e Entit të Energjisë provojnë se KESH ka shkelur ligjin vitin e kaluar dhe deri në këtë moment që flasim, pasi nuk e ka nxjerrë energjinë e pa kontraktuar në Bursë, por e ka blerë shtrenjtë dhe e ka shitur lirë tek kompani private të shitblerjes së energjisë elektrike.  Vitin e kaluar, KESH ka deklaruar se ka blerë jashtë bursës rreth 561 mijë megavat orë me çmim më të lartë sesa shitej në bursë. Llogaritjet zbulojnë një dëm prej rreth 6 milionë euro për buxhetin e shtetit vetëm nga ky operacion i paligjshëm, që ble jashtë bursës energji më të shtrenjtë tek klientët e vjetër dhe të rinj të KESH-it.

Ka edhe një operacion tjetër nga KESH-i që ka çuar më tej skemën skandaloze të abuzimit me paratë publike. KESH-i jo vetëm ka blerë shtrenjtë jashtë bursës, por edhe ka shitur lirë po jashtë bursës, megjithëse ligji ia ndalon tregtimin jashtë bursës shqiptare të energjisë.  Vetëm për vitin 2023, KESH ka shitur jashtë bursës rreth 640 mijë megavat orë energji. Duke qenë se ka shitur më lirë se çmimi mesatar në bursë, dëmi llogaritet në rreth 10 milionë euro. Nga verifikimet e bëra prej ekspertëve tanë, KESH ka falsifikuar të dhënat e dorëzuar tek Enti i Energjisë, për të fshehur tregtinë e paligjshme që ka bërë me energjinë, e cila shitet me çmime të ndryshme për fasha të ndryshme orari. Këto fasha orari energjie të tregtuara jashtë bursës, KESH nuk i ka raportuar, sepse, kur të dhënat kryqëzohen, rezulton se kompania shtetërore e energjisë nuk ka mbrojtur interesin publik për të rritur fitimet apo minimizuar humbjet, por ka vepruar në interes të kompanive private për rritjen e fitimit të tyre. Ky është një nga skandalet më të mëdha të tregut të energjisë në Shqipërisë, që shtrihet edhe  në manipulimin për humbjet në rrjetin e energjisë. Nga përllogaritjet e ekspertëve rezulton se humbjet faktike janë në nivelin 27.2% për tensionin e ulët dhe 1.3% për tensionin e lartë, duke sjellë, vetëm për vitin 2023, një vlerë totale të humbjeve prej 144 milionë eurosh. Një dëm i jashtëzakonshëm ky, të cilin e paguajnë çdo ditë qytetarët përmes çmimit të lartë të energjisë elektrike”, tha Bardhi.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x