-0.5 C
Tirana
22 / 12 / 2024

Në 500 faqet e SPAK një radiografi e frikshme mbi sistemin korruptiv të familjes Berisha

Nga Carlo Bollino

500 faqet që përbëjnë dosjen e Spak-ut për privatizimin e Kompleksit sportiv Partizani janë shumë më tepër se një kështjellë e pamposhtur provash. Janë radiografia e një mënyre të konceptimit të pushtetit të imponuar nga Sali Berisha, që ende ekziston. Jetëgjatësia e mbijetesës së tij tregohet nga frika (nëse do të ishim në një vend mafioz, do të thoshim nga ”omertà”) që vazhdon t’u mbajë gojën e mbyllur dëshmitarëve. Sekuencat e deklaratave të raportuara nga Spak, shumë prej të cilave janë mbledhur muajt e fundit, tregojnë shpirtin bashkëfajtor të ish-ministrave, ish-zyrtarëve, ish-drejtuesve dhe ushtarëve të Shtetit që gënjejnë pa turp. Të gjithë të vendosur për të fshehur abuzimet e kryera deri 12 vjet më parë, me sa duket të gjithë të gatshëm t’i bëjnë përsëri. Nuk ka asnjë gjurmë turpi te ish-ministrat e mbrojtjes kur i përgjigjen SPAK-ut që nuk e dinë as se si ishte ndarë kompleksi Partizani. Dhe si ata shumë të tjerë.  Një vërshim dekraratash: nuk e mbaj mend… nuk mendoj… nuk e di. Të gjithë janë gati të gënjejnë akoma për të mbrojtur Sali Berishën dhe familjen e tij që ndërkohë kanë grumbulluar një pasuri të turpshme për çdo pushtetar në përgjithësi, e lëre më për ish-kryeministrin e vendit më të varfër të Europës. Dikush gjithësesi ka bashkepunuar me SPAK-un dhe kjo mund të kuptohet nga informacioni i pafund i grumbulluar gjatë hetimeve, por sigurisht, e ka bërë fshehurazi, jashtë proceseverbaleve zyrtare, siç flasin ata që kanë frikë.

Ato 500 faqe janë fotografia e një sistemi të korruptuar edhe moralisht, ku një aparat i tërë shtetëror u vu në shërbim të padronit-zot të tyre për të shuar urinë e pangopur për para të familjes së tij. Fillimisht ishte qeveria, pastaj nga viti 2011 me fitoren e Lulzim Bashës, edhe gjithë Bashkia e Tiranës zyrat e së cilës u pushtuan nga miqtë dhe konsulentët e Argitës dhe Jamarbërit. Drejtoresha e Tatimeve, për shembull, ishte gjithashtu kontabiliste e Jamarbërit. Vetë Jamarberi punonte për Bashkinë dhe pasi kërkoi leje ndertimi për kompleksin e tij gjigant “Magneti I” në tokat e privatizuara, është po ai që firmos eskpertizën për ndikimin mjedisor të atyre kullave!! Qeveria dhe Bashkia, tashmë të dyja nën komandën e PD-së, e gjejnë veten të rreshtuar në të njëjtat metoda, në të njëjtën urgjencë për të pasuruar me çdo kusht dhe jashtë çdo rregulli familjen e “Shefit të Madh”. Një administratë e tërë publike në dispozicion të një familjeje të vetme.

Në dosje ka detaje të sikletshme, si për shembull Jamarber Malltezi, i cili sipas SPAK-ut ka fshehur për dy vjet vdekjen e gjyshes së tij nga e cila kishte trashëguar copëzën e tokës, duke e bërë të duket ende e gjallë në letrat e privatizimit, ndoshta nga frika se mos me fillimin e procedurave normale të trashëgimisë do të kishte humbur kohë të çmuar. Ose si noterja e familjes që falsifikon vulën e saj, dhe më pas gris dhe ringjit pullën që vërteton aktet noteriale dukshëm pasi ka ndryshuar datat e dokumentit. Aty dëshmohet dhe akt dhurimi i një të afërme të Jamarbërit, i firmosur cuditerisht me gishtin e madh, ndërsa pronat e bashkëshortit të saj të sëmurë, sipas SPAK,  përfundojnë duke u ndarë mes disa të afërmve ndoshta pa dijeninë e tij. Jamarbër përfiton nga gjithçka dhe nuk lëshon as edhe një centimetër tokë. Në dosje është servilizmi i ish shefit antikorrupsion të Kryeministrisë (dhe duke parë se si vepron, është qesharake ta quash kështu) i cili për të kënaqur Berishën ia beson inspektimin që duhet të përfundojë me shkarkimin e gjeneralit të ndershëm Vladimir Qirjazi që refuzon të nënshkruajë procedurën e konsideruar të paligjshme, inspektorit të vetëm të komprometuar, që ishte njëkohësisht një nga pronarët që duhet të kishte përfituar nga procedura. Edhe ai i perfaqesuar nga Jamarber Malltezi. 

Një procedurë që nisi me një denoncim të rremë, që sipas SPAK-ut, ishte shkruar dhe dorëzuar nga Jamarbëri vetë, por që Berisha shtirej si i kishte ardhur me postë. Është Xhim Begeja, kushëriri i Jamarbër Malltezit të cilin e përdor si kamarier-shërbëtor, duke preferuar të qëndrojë vetë në hije, i cili bën gjithçka: madje sulmon me buldozer Qendrën Meteorologjike që ndodhet brenda perimetrit të ish-Kompleksit Partizani. Më pas Xhimi e kupton që mundi i tij nuk është shlyer në mënyrën e duhur, ndihet i mashtruar dhe kërkon shpjegime se ku kanë shkuar 24 milionë euro!!! Dhe në fund Fatmir Bektashi, financuesi i të gjithëve (sipas SPAK-ut edhe korruptuesi i të gjithëve). Është ai që dëshmon për Spak se Jamarbër Malltezi nuk ka paguar asnjë lekë për investimin, edhe pse në fund ka marrë gati 6 milionë euro fitime. Bektashi është bankomati për të gjithë operacionin, madje ofron garanci personale edhe për kreditë bankare që merr kompania Homeplan e Jamarber Malltezit edhe pse Bektashi është aksioner minoritar. Shpesh maskon shumat e paguara pas shprehjes misterioze “kontribut patriotik”, që duket si një kod ironik për ryshfet.

Vetëm me ndonjë përjashtim të guximshëm, protagonistët, shumica tjeter janë një ushtri me nëpunës shtetërorë mediokër, të cilët të tmerruar se duhet të respektojnë urdhrin e shefit për të nxituar, shpikin inspektime, falsifikojne raporte, shkelin procedurat. Një ushtri figurash të frikshme, që kur nuk janë korruptuesit, janë të korruptuarit. Dhe kur nuk mjafton falsifikimi i dokumenteve, vjen Berisha dhe i shtyn ministrat të ndryshojnë ligjet, të miratojnë VKM-të, të qepin procedurat si një fustan sipas masave për të ndihmuar dhëndrin dhe bashkëpunëtorët e tij të realizojnë ëndrrën e tyre miliardere.

Dosja e SPAK-ut është aq e detajuar në çdo hap, aq e pasur me prova, fakte dhe informacione, sa është e vështirë të nënvleftësohet si “fabrikim politik”. Sali Berisha dhe Jamarber Malltezi, të cilët e përkufizuan menjëherë një grumbull gënjeshtrash ende pa pasur kohën për ta lexuar, do të kuptojnë faqe pas faqe çfarë kanë bërë dhe gjurmët që kanë lënë. SPAK ka hetuar edhe historinë misterioze të shpronësimit të bërë në kohën e italianëve dhe pranon se nuk ka asnjë provë që ky të ketë ndodhur. Xhemal dhe Mahmut Begeja (stërgjyshërit nga të cilët Jamarber Malltezi trashëgoi tokën) në fakt iu shpronësuan tokat nga italianët për të ndërtuar zgjerimin e tretë të aeroportit të Tiranës, por ata e kundërshtuan në gjykatë duke konsideruar çmimin e ofruar shumë të ulët dhe ndryshe nga shumë pronarë të tjerë që pranuan, lëvizja e tyre i shpëtoi nga shpronësimi sepse në të njëjtën kohë pushtimi fashist mori fund.

Pra, abuzimet e bëra nga Berisha nuk kanë të bëjnë me legjitimitetin e pronësisë së tokave të dhëndrit të tij dhe familjeve të tjera, por faktin që në ato toka qëndronte një objekt sportiv funksional (edhe pse pjesërisht i zënë ilegalisht); se Forcat e Armatosura të cilave ai i përkiste donin ta mbanin brenda Planit të përhapjes; se pasuria ushtarake nuk ishte e regjistruar siç duhet dhe nuk ishte e qartë se kush ishte në krye të saj; se brenda tokës kishin parcela të kërkuara nga më shumë se një pronar; se brenda Kompleksit ishin ndërtuar struktura me interes publik të cilat duheshin mbrojtur; se atje ishin shtrehuar nga Shteti ish-të perndjekur politik dhe se ata që kishin ndërtuar ilegalisht në hapësirat boshe (Jamarberi dhe bashkëpunëtorët e tij i quanim ”uzurpatorë”), kishin të drejtë si shumë të paligjshëm të tjerë të kërkonin legalizimin. Këtë parashikonte ligji deri në vitin 2005 kur Sali Berisha rimori qeverinë. Pa ndryshimet legjislative të bëra prej tij dhe pa fuqinë e pushtetit të tij, ato toka nuk do të mund të ktheheshin kurrë, as kompleksi Partizani nuk do të mund të privatizohej. A do ta kishte mobilizuar në të njëjtën mënyrë Berisha fuqinë e tij të pafundme nëse nuk do të kishte përfituar familja e vajzës së tij, por ndonjë familje tjetër ish-pronarësh shqiptarë? Pikërisht rreth kësaj konsiderate bazohet procesi i korrupsionit.

Spak ka shkuar edhe më tej në akuzat e tij, duke pretenduar se në vorbullën e shifrave, dokumenteve, kontratave shitblerje, raporteve, marreveshje, pagesat, hartave topografike dhe vlerësimeve, në fund ish-pronarët ia dolën të mos paguanin 4.5 milionë euro si vlera e objekteve që qëndronin në tokat e tyre dhe të kenë përfituar edhe nga gati 900 metra tokë shtetërore që duhet të paguanin dhe që nuk e bënë. Ka dyshime edhe për sasinë e saktë të metrave katrorë të marrë: disa ekspertë pretendojnë se kanë marrë të paktën 4000 metra katrorë më shumë se sa duhet.

Ky është sigurisht versioni i prokurorisë. Mbrojtja do të thotë fjalën e saj dhe do të jetë Gjykata që në fund do të gjykojë se kush ka të drejtë. Por përtej përgjegjësisë penale, mbetet fotografia tragjike e një familjeje pushtetare që përdori si vegla personale strukturat e Shtetit dhe që u pasuruan aq shumë sa flasin për miliona euro sikur të ishin lekë të vjetra. Një familje që për të mbrojtur veten vazhdon të njollosë drejtësinë, rivalët politikë dhe gazetarët duke pretenduar se u jep të gjithëve leksione për një moral që kjo dosje tregon se nuk e ka pasur kurrë. Por dëmi i vërtetë për vendin është se kjo është njëkohësisht edhe familja e liderit të opozitës, e cila në të kundërtën duhet të përfaqësojë alternativën dhe shpresën për një sistem më të mirë qeverisjeje.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x