Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, nga Gjirokastra ku po zhvillon një takim me demokratët, në kuadër të turit “Shqipëri në rrezik”, deklaroi mbrëmjen e së premtes se arsyeja se pse qeveria Rama mori mandatin e tretë, është fakti se nuk u përball me përgjigjen e duhur nga PD.
Berisha shtoi se Shqipëria gjendet në një sistem diktatorial që nuk ka kampe, por që burgos qytetarët për një gardh dhe i heq nga puna për bindjet e tyre politike.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm se fakti që ndodhemi në mandatin e 3 të një qeverie që kalon nga skandali në skandal, në një mënyrë apo tjetër, na bën përgjegjës e vë çdo demokrat para përgjegjësisë kombëtare.
Apeli ynë është të bëjmë gjithçka si forcë politike për ndryshim e realizëm .
Ramës duhet t’ia kishim prerë me kohë biletën, qeveri e mirëfilltë antisociale e anti kombëtare
Kjo qeveri ka arritur të mbijetojë e të marrë mandatin e 3 se ka përdorur metoda të paligjshme, por nuk ka marrë përgjigjen që duhet nga ne. Duhet të angazhohemi në organizim të përsosur”, tha Berisha.