Nga Meri MUSA
Në përpjekjet e vazhdueshme për të përmirësuar arsimin një vend të rëndësishëm zë udhëheqja e mirë administrative e një shkolle, e cila lidhet pazgjidhshmërisht me drejtuesin efektiv. Nga studimet e shumta është parë se shkollë “e mirë” apo “e suksesshme” dhe drejtues efektiv krijojnë një binom në arsim. Po cili është drejtuesi efektiv
Studiuesit e lidhin drejtuesin efektiv me shkollat kompetente dhe sipas tyre në këto shkolla, drejtuesi:
• shpreh një mision të qartë të shkollës
• përfshihet në mënyrë aktive në identifikimin e problemeve mësimore
• krijon një atmosferë pozitive në shkollë
• punon vazhdimisht për përmirësimin e mësimdhënies.
Por drejtuesi i sotëm efektiv nuk mund të mbetet vetëm brenda këtyre kuadrateve. Për të identifikuar drejtuesin efektiv apo shumë efektiv janë hartuar standardet e performancës së drejtuesit me qëllim fleksibilitetin e vlerësimit dhe nxitjen e krijimtarisë dhe e nismave të drejtuesve.
Sipas standardit 1 të performancës drejtuesi drejton procesin mësimor – edukativ duke nxitur suksesin e të gjithë nxënësve. Për të përmbushur këtë standard duhet të vërë në zbatim praktika të mjaftueshme që përmirësojnë në mënyrë të konsiderueshme procesin e të nxënit në shkollën e tij. Në këtë pikë atij i duhet të vendosë qëllime të qarta, të përdorë praktika drejtuese në ndihmë të kolegëve duke organizuar veprimtari mësimore- edukative që cojnë në përmbushjen e qëllimit shkollor. Stafet pedagogjike te shkollave, në përgjithësi, janë të motivuar në arritjen e qëllimeve, të cilat shpesh janë sfiduese, por të arritshme. Në këto raste drejtuesi i shkollës duhet të përcaktojë saktë praktika specifike drejtuese nëpërmjet të cilave të artikulohet më qartë misioni i shkollës duke synuar pritshmëri të lartë dhe të monitorojë organizimin dhe nxitjen e komunikimit efektiv.
Menaxhimi i burimeve njerëzore përbën një standard të rëndësishëm që nxjerr në pah kontributin e drejtuesit të shkollës lidhur me aftësitë organizative të tij mbi përdorimin e praktikave efektive që cojnë në përdorimin dhe menaxhimin e trupës pedagogjike duke ruajtur cilësinë e saj. Ofrimi i modeleve më të mira dhe sigurimi i një mbështetjeje të individualizuar (aty ku ka vend) ndikojnë pozitivisht në menaxhimin efektiv të stafit pedagogjik.
Por kapaciteti njerëzor nuk mbetet përherë pika më e fortë e një institucioni arsimor. Menaxhimi jo i mirë i burimeve materiale ndonjëherë e dobësojnë qëllimin e mirë të drejtuesit për arritjen e objektivave shkollore. Drejtuesi shkollor nxit dhe mbështet forma veprimi që sigurojnë mjedis të sigurt arsimor, burime financiare që trajtohen me efikasitet dhe në kohën e duhur me qëllim përmirësimin e efektivitetit të shkollës, ai respekton politikat shtetërore në lidhje me burimet financiare duke raportuar sistematikisht strukturat përkatëse.
Bashkëpunimi me komunitetin dhe komunikimi përbëjnë një pikë të fortë nga e cila vlerësohet drejtuesi efektiv. Ky standard kërkon një drejtues që informon në kohën e duhur prindin, vendos marrëdhënie bashkëpunuese të mbështetura në pozitivitetin e dy palëve shkollë-prind, tërheq mendimin e prindërve për problem të ndryshme të shkollës, tërheq mendimin e nxënësve kur është e nevojshme dhe komunikon me kolegët në mënyrë efektive në interes të përmbushjes së objektivave shkollore.
Vendosja e standardeve të vlerësimit të drejtuesit nuk e kornizon punën e tij, por e kthen atë në një process të vazhdueshëm bashkëpunimi dhe bashkëveprimi midis tij dhe stafit pedagogjik, midis drejtuesit dhe nxënësit, midis drejtuesit dhe komunitetit. Ato dëshmojnë se një kombinim i mirë i strategjive mund të jetë i dobishëm për të siguruar suksesin e shkollës dhe se drejtuesi mund të ndikojë në mënyrë të ndjeshme për promovimin e rezultateve të nxënësve duke mbështetur edhe përmirësimin e kushteve për mësim. Ato paraqesin një kombinim strategjish që i shërbejnë drejtuesit të shkollës për të përmbushur objektivin shkollor duke rritur pritshmëritë dhe duke promovuar me sukses shkollën në rrethana sfiduese.
Modelet e shkollave të suksesshme lidhet patjetër me rolin dhe vlerën e drejtuesit të shkollës. Ai ka një rol kyç në krijimin e një kulture pozitive në shkollë, në rritjen e përkushtimit të stafit pedagogjik, në motivimin e tij dhe përkushtimin e nevojshëm për të nxitur përmirësimin e treguesve shkollorë. Ndikimi i drejtuesit efektiv lidhet si me rritjen e efektivitetit të shkollës, ashtu edhe me rritjen e popullaritetit të saj.
Vlerësimi i efektivitetit të drejtuesit do të ndikojë dhe në rritjen e efektivitetit të shkollës kur ky vlerësim bëhet mbi bazën e standardeve, i shërben rritjes së efektivitetit të shkollave në përgjithësi dhe krijimit të një kulture të re të drejtimit të shkollave.