Nga Josif Papagjoni
Kam pasur një jetë në “bodrumet” e heshtura të dijes, për të mos thënë “shkencës”; më saktë në institucionet e paguara të saj. Me instinktin e mprehur viteve, mund të them sot disa gjëra që dikur, mbase nga ndrojtja, rrezikimi i vendit të punës nga drejtues kapadainj me kostume politike, nuk i kam thënë dot. Vetëm budallenjtë, kokëboshët dhe kapadainjtë e politikës e të tjerë sosh, studimet “albanologjike”, të inkluduara përfundimisht në Akademinë e Shkencave si institucione unikale të studimit të botës shqiptare, i kanë parë me syrin e njerkës.
Të themi të drejtën, ka qenë një njerkë e keqe dhe vazhdon të jetë e tilla. Shkurt e qartë: si ndjehet sot një studiues në këto drejtime shkencore, le të themi një historian, gjuhëtar, arkeolog, antropolog, sociolog, etnolog, kritik e studiues letërsie, arti? Cila është shkalla e tij ekonomike e sociale, ku e kanë vendosur të pushtetshmit, sa vlerësohen, sa u peshon fjala? E fundit, por mbase kryesorja, sa është rroga e tyre, sa janë të ardhurat që sigurojnë? Ju e kuptoni menjëherë se unë s’kam pse i sillem rrotull vetes, pasi e kam “ngrënë çairin”, gëzoj një pension të mirë si professor. E kam fjalën për studiuesin si profesion, si kategori sociale dhe profesionale, për njeriun që ka si hipotekë të vetën vetëm dijen, librin, germat, për atë që në heshtjen e vet e, mbase, nën shpërfilljen e shumëkujt, i cili ka ca pare tepër a një makinë luksi e që ky studiusi nuk i ka (dhe as mund t’i ketë sot në nivelin e tij ekonomik të sotëm). Por prapë se prapë, ai ka dinjitetin dhe autoritetin e fjalës, dijes, kulturës. Ai mbyllet si murgu pergamenave dhe ashtu si personazhi i Orhan Pamukut në romanin e tij të famshëm “Unë jam e kuqja”, vetëqorrohet teksa deliron me figurinat e tëholluara anash librave të shenjtë si nëpër kujtesat e mugëta e të shtypura nga pamundësia. Bash aty edhe këta njerëz të pakët, që mbajnë emrin e “albanologëve”, gjejnë kënaqësitë e thella, lumturinë, madje ushqejnë tinëz dhe deliret e veta, gjithsesi të bukura, shpesh të pafajshme, të përligjura nga pikëpamja psikologjike…·
Cila është sot pozita e këtij njeriu të thjeshtë që quhet “punonjës shkencor” (dhe që dikush, për respekt, mund ta quajë edhe dijetar, shkencëtar, profesor, akademik etj)? Mua më duket se ajo është shumë më poshtë nga çka qenë dikur motit. Hijerorja këtij njeriu, krahasimisht me më parë, i ka rënë përtokë, domethënë ajo e sqimës intelektuale më së pari, por edhe ajo e “xhepit”. Le të bëjmë fjalë për të parën fillimisht…
Ky “punëtor i librit” sot më duket më shumë se kurrë i zhvlerësuar. Zhvlerësimi fillon te zhvendosja e tij gjithnjë e më poshtë në raport me interesin e shoqërisë të mbytur në mediokritet, rëndomtësi, vizion opak, vulgaritet, imazhe spekulative, perversitet mediatik, varfëri dhe herë-herë idiotësi. Shoqëria duket si e shkëputur nga frytet që sjell kjo punë në rrafshet e vetëdijes kombëtare, të vetë shoqërisë shqiptare, e cila gjithnjë e më shumë priret drejt grindjeve politike, argëtimit, fitimit, moskokëçarjes, kafeneve, kotësisë, marrëzive të tik-tokut, budallallëkut, snobizmit urban – në gjuhën e popullit “pordhë me rigon”. Mediet merren tërë ditën me këto grindje, presin me padurim sa të ndodhin që të mbushin ekranet e tyre, të marrin rrogat dhe të tjerrin pafundësisht fjalë. Ngulen, bie fjala, te dritarja e një ish politikani dikur i frikshëm e sot qesharak, dhe dër, dër, dër… Ose ofrojnë në vend të ideve ca shalë femrash që shiten si zarzavatet në tregun e pistë, pasojnë me kronikat e zeza, pafundësisht, tmerrësisht të lodhshme, riprodhojnë libra spekulativë me “zogj” e “pula”, fytyra të tejkonsumuara, ca me mustaqe e mjekra, ca qose e të rruar-kruar, që shesin mend “pa mend”, dhe kurrkush nuk e ka në mendje që të ftoj një albanolog (antropolog, arkeolog, gjuhëtar, kritik letrar, studiues të artit, etnolog) me përjashtim të sherreve për historinë, jo 28 e jo 29, jo Enveri e jo Saliu, jo ma le e jo ta lash! Ku është impakti i këtyre njerëzve këtu? Edhe kur ftohen, lihen në emisione me kohë e shikueshmëri të ulët, pa mundur të krijohet për ta një opinion apo ata vetë të krijojnë një opinion. Vras mendjen dhe them: Pse kaq pak interes? Ia hedh fajin kohës që duket indiferente për kësi gjërash, dikur të “shenjta”, e cila sot, e gëlltitur nga kultura globale, sipërfaqësia dhe farfuria, kërkon salcra të tjera të një shoqërie “kozmopolite”, “grabitqare”, “barkëfryrë”, ku e mjera albanologji struket gjithnjë e më shumë, mrrudhet e tkurret. Por nuk është vetëm koha dhe pëlqimet e saj, imazhet që prodhon dhe hedh në tregun e gëlltitjes. Unë ia hedh fajin sidomos shtetit tim, që e ka lënë në pikë të hallit, me një buxhet qesharak që as pagat s’jua rritin dot e jo më botimet etj. Bie fjala, si ka mundësi një profesor në universitet të marrë deri 300 mijë lekë të vjetra më shumë se një profesor në Akademinë e Shkencave, kur dihet se ky institucion është unik dhe cilësia e punës shkencore parashihet si ajo më cilësorja, më e përkryera dhe më e mundshmja.
Qysh këtu e 20 vjet më parë ne, studiuesit shqiptarë bëheshim xheloz dhe na vinte inat pse, bie fjala, një profesor në Kosovë, sado më e varfër se Shqipëria, merrte dyfishin e një sivëllai të vet këtu. Pse ata e mbërrinin këtë status vlerësimi e ne jo? Sepse ishte vlerësimi i drejtë i vizionit qeveritar për t’i dhënë kësaj kategorie një status ekonomik të diferencuar. Mirëpo qeveria u ngre rrogat ca kokëgdhëve me emrin deputet, që e kanë lexuar ose jo një libër, e dinë ose jo gjuhën shqipe, lëre gjuhët e huaja! Ama ata dinë të ngrenë dorën kur votohet dhe kur flet “komandanti” ose të ndezin flakadanë dhe të grinden me grushte. Çfarë mjerimi! Këta po, e meritojnë!!! Bukur fort i rritët pagat e deputetëve, por deputetit, mor zotëri, i pjell edhe kokoshi vezë, se impaktet politike i shndërron në fitime e para, dieta e “borde”, kurse një studiues vetëm paratë e librave të tij ka. Pastaj, s’besoj se shumë nga ata deputetë që mbushin sallat lodhen nga mendimet tek dëgjojnë llogje-kavaje, gati për sherr brirë më brirë si buajt. Ndonjëherë, kur i shoh aq të “menduar”, kam qejf të shpotis se ndoshta mos flenë gjumë me sy hapur. Të më ndjejnë të mençurit dhe të spikaturit e asaj salle, por ja, kështu më shkon mendja ndonjëherë për dreq, kur kundroj ca fytyra të përgjumura nga vetëkënaqësia. Lëre pastaj “heronjë” e saj me shkrepse në dorë, një katundari e neveritshme!…
Po pse nuk mundem vallë të më shkoj mendja që pikërisht ky kuvend, kjo qeveri, ky kryeministër, kjo opozitë, ç’janë e ç’nuk janë, mos të bëhen njëherë si një “Plutus” për profesoratin e vendit të vet? Ende ne vazhdojmë me 1% të gdp financim nga shteti, kur shteti më i vogël se ne, Maqedonia e Veriut, e ka 2% të gdp, ndërsa vende të tjera 3%. Fjalë të mëdha gjithë qeveritë na kanë thënë se shkencat albanologjike ashtu dhe kështu, se kanë këto e ato vlera, merita, rëndësi, por kur vjen puna te rrogat hiç, aty ku janë, asnjë mundësi më shumë; ndonjë thërrime tek-tuk për të larë duart si Ponc Pilati. “Aty të rrini qena, ngordhni në vend, lërini fjalët dhe pretendimet, sus, kaq vleni!” Dhe mua më vjen në mendje ajo metafora e shkëlqyer e zbythjes së katundarit në filmin e Anagnostit “Përrallë nga e kaluara” në skenën e dasmës së Gjinos. Zbythu e zbythu e në fund, atje e ke vendin qerrata, se të parët jemi na, pastaj jeni ju! Atje në film ajo zbythje ishte komike, këtu ndër ne është dramatike. Do ta quaja, përçmuese.
Po pse ngjet kështu vallë. Për inat të sime vjehrre shkoj e fle me millonanë, i thonë fjalës. Gjithmonë ka ndodhur: vijnë partitë në pushtet, duan të heqin të “padëshiruarit” dhe për ta ngulfatur institucionin, presin fonde, bëjnë “reforma”, zhvlerësojnë, sulmojnë, gjersa gjejnë hilenë dhe i heqin drejtuesit e parë për të ardhur drejtuesit e dytë. E për sa karrige bëhet e gjitha kjo mesele? Për pesë? Dhjetë? Shteti im, i yni, shikoje cazë me dashuri institucionin! Nuk janë këta që e krijojnë atë, të djathtë a të majtë, të mitë a të tutë. Ata shkojnë e vijnë. Janë të tjerët, të heshturit, ata që edhe po t’ua qasësh atë dreq karrige, nuk e duan se i pengon në punët e tyre! Shteti është nënë, jo njerkë. Njerkë mund të jetë partia, larg qoftë, por jo shteti. Shteti është drejtpeshimi. Pra, më në fund, lëreni institucionin në lirinë e tij akademike, në lirinë e të qenit. Le të jetë kjo reforma e fundit (më në fund!!!).
·
Përveç hierarkisë sociale e intelektuale, përveç kushteve të punës (ikën dritat, erdhën dritat!), përveç frytit të punës shkencore (botimeve, veprimtarive publikuese e promovuese etj.), e munguara e dytë e madhe për t’i dhënë statusin ekonomik të merituar punonjësve shkencorë është shpërblimi. Jo vetëm paga. Ata të kalemit në Ministrinë e Arsimit a të Financave, besoj edhe kryeministri i vendit, e dinë por unë po e kujtoj! Kam pasur 20 e më shumë vite që jepja ligjërata në Universitetin e Prishtinës. Jo se niveli i mësimdhënies aty ishte më i lart se këtu te ne, përkundrazi. Por ama Hashim Thaçi, doemos duke ia shushuritur evropianët në vesh, i rriti pagat e pedagogëve të universiteteve. Paga minimale në rang vendi këtu tek ne, me sa di unë, nuk ka ndonjë diferencë kushedi çfarë në raport me pagën e ndonjë punonjësi shkencor në institutet albanologjike. Pra diferenca pagë e lartë – pagë minimale, është shumë më e vogël nga pikëpamja e “barazisë sociale”, lëre pastaj të meritës. Po vallë ky mentalitet barazitizmi duhet ta udhëheq ende mendjen e njerëzve që bëjnë politikat e pagave gjegjësisht vlerës, rëndësisë, meritës, nevojës? Po të krahasohemi me Serbinë, Maqedoninë, Bullgarinë dhe vendet e rajonit sa i përket pagave, jemi shumë më ulët. Budallenj janë ata, nuk e dinë se paga e profesoratit është pikërisht vlerësim, një hierarki e dobishme për të ndërtuar kastat e njerëzve që mbajnë dritën ndezur, fundja edhe për krenari të kombit të vet, epëri, identitet, qenësi, ontologji. Nuk e dinë ata se ky diferencim ndez xhelozitë e të varfërve, e të rëndomtëve, e të “tjerëve”. E dinë, por dinë gjithashtu se pa këtë kastë njerëzish që sigurojnë vijimësinë e brezave dhe të diturisë kombi s’ka të ardhme, shpejt bjerret e zvetënohet, e pushton “turma”, rrafshimi i personaliteteve dhe gjeniumeve, mediokriteti bëhet mbytës. Dhe zerua e madhe të kthen, siç thoshte Kadare, në një komb “Kra-kra-kra”. Në mos krakaritshim si korbat dhe laraskat sot, nesër si pa kuptuar do krakaritim në kor, ashtu të lumtur në terrin dhe llumin tonë, siç fatkeqësisht kanë zënë të krakaritin nxënësit, studentët, gjer dhe pseudodoktorantët me disertacione të blera. Dhe ç’farë bën kjo mendësi e ngulur më së pari te qeveritarët, deputetët, njerezit që kanë pushtet në dorë ose tek ata që krijojnë opinione? Thjesht, nxit korrupsionin; në vend të diplomave cilësore nxjerr “qofte ke daja”!
*
Por ndryshimi i statusit ekonomik të punonjësit shkencor nuk është thjesht rritja e pagës. Një nga balancat e këtij statusi janë shpërblimet, honoraret për libra, artikuj studimorë, kumtesa, projekte, juri, këshilla shkencore, borde etj., të cilat ndihmojnë kamjen e tij. E habitshme është se këto lloj shpërblimesh nuk paguhen më as sipas vendimit të qeverisë të vitit 1997 me 40% si dikur, por shumë më pak duke përdorur gjithfarë manovrimesh. Pyes prapë: Pse? Këto shpërblime, përpos të tjerash, diferencojnë edhe punën, meritën, djersën mes studiuesve njëri përballë tjetrit. Jemi në ekonomi tregu apo jo? Edhe truri matet, pra shpërblehet: kush lodhet më shumë e kush më pak. Unë kujtoj me dhembje, për shembull, që në projektin madhor të “Enciklopedisë së Arteve Shqiptare” të të gjithë hapësirës sonë kombëtare si dhe diasporës, Akademia e Shkencave jo vetëm mua, por më shumë se 50 studiues me emër në lamitë e arteve, profesorë të shquar, doktorë shkencash, artistë të mirënjohur etj., të cilët ishin hartues zërash, artikujsh, nuk morën kokërr leku. Mua më dhanë një shpërblim qesharak, as një të dhjetën e punës që kisha kryer si drejtues i këtij projekti, si kryeredaktor dhe sidomos si hartues i mbi 800 njësive dhe zerave enciklopedikë. Dhe kur iu ankova kryetarit të kësaj Akademie, profesor Skënder Gjinushit, pavarësisht justifikimit që ai dha se mungojnë fondet etj, etj, premtoi se diçka do të bënte kur projekti dy vëllimësh me rreth 2300 zëra do të botohet. Nuk kam besim, por pas botimit të pritshëm të tij, le të shohim se sa mbahet fjala. Ndjesë për shembullin e dhënë dhe personalizimin e tij, mirëpo kjo nuk është, t’i themi një “rastësi”, sepse dikush tjetër, jo i njerkës por i nënës, ka marrë dhe merr, sigurisht me meritë, hakun e mundimit të vet apo të ekipit të studiuesve të këtij apo atij botimi. Ja, po i iki interesit tim vetjak si profesor e pensionist, dhe shtroj pyetjen retorike, që nënkupton brenda saj dhe përgjigjen: “Vallë nuk është e aftë qeveria apo ministria e financave që ta hap pakëz atë të uruar qese (sa një kokërr hudhër!) për Akademinë e Shkencave, duke planifikuar ca më mirë dhe shpenzimet për botimet, veprimtaritë shkencore, honoraret etj., duke i përfshirë e rritur ato? Sa shumë e shumë simotra projektesh të punonjësve të tjerë shkencorë janë paguar fare pak ose aspak”.
*
Ku po shkohet? Cilët do të jenë njerëzit e librit nesër? Të ç’niveli? Këtë nuk e di, veçse dyshoj: zi e më zi! “Zi e më zi” po vazhdoi kështu. S’do jetë si komedia e njohur e Kristo Floqit që nga kujë kthehet në këngë e valle, por nga këngë e valle mund të kthehet në kujë. Kujë për arsimin dhe kulturën. Kujë për dritësimin tonë. Po vrapojmë si të çmendur drejt injorancës me kuç e me maç. Shkolla ka rënë përtokë. Universitetet mos më keq. I shikon studentët me sytë e zbrazët që veç mbushin auditorët për të vrarë kohën apo për “gallatë”, duke zhurmuar e haharitur, dhe pa libra, me duar në xhep dhe Iphon-a. Të zë me të vërtetë kuja. E kam fjalën për shkencat humane dhe aq sa jam në kontakt, nuk i di si venë punët te të tjerat. Por në një vlerësim të përgjithshëm nuk recitohet postulati rilindës i Naimit: “Dhe udhë e diturisë përpara do na shpjerë”, por “ububuja”. Ububu kur teston njohuritë e studentëve a mëtuesve të shkencës, ububu me shumë syresh që kanë mbaruar “shkollat doktorale” dhe pas mbrojtjes së tezës për të “mbrojtur vendin e punës”, askush nuk shkruan më një studim a libër të dytë, kontingjente të paaftësh që shtohen e shtohen gjersa të të marrin frymën, siç ndodhi me masterat me “lopata”. T’i thuash tjetrit sot “kam mbaruar masterin”, përgjigja mund të jetë: “Eja or mik, kape lopatën dhe bëj llaç!” Më ka ndodhur vërtet që teksa e pyesja një student se cili ishte Fan Noli sipas tij, m’u përgjigj se s’e njihte. Mos ka qenë gjë drejtor teatri, u luhat me dyshim. Jo, i thashë duke shpërvjelur buzët nga sarkazma, ka qenë regjisor…
Afërmendsh, ky është një rast anekdotik. Por pyesni sa romane kanë lexuar, sa monografi, sa vargje përmendsh dinë nga poetët tanë më të mirë. Terra inkognita. Tmerrohesh. Kultura, njohuria, informacioni është më së shumti “viziv”, vrap nëpër foto, abstrakte, imazhe, internet, Youtub. Kulturë “youtube”-iste dhe “tik-tok”iste. Mbamendja është dembelosur se gjithçka është e gatshme si qoftet, aty në plazmën e ekranit të Iphon-it apo Ipad-it veç duke klikuar. Gjuha shqipe është si e trullosur, sikur e kanë goditur me vare në kokë. Fjalë pa fund nga leksiku i huaj, më së shumti i anglishtes. Gjithfarë mburravecësh e snobësh që s’dinë shqip mbytin ekranet. Dhe një llum zhargonesh e nëndialektalizmash, ku sqima, përhitja, spikama, rrëzëllima e normës letrare, farfuria e standardit, zhyhet e zhgërryhet në vaskat e pista të kësaj lëngate e zdërhalljeje që e ka zënë për qafe të bukurën dhe madhështoren gjuhë shqipe. Ja, kjo është një pasojë, veç të tjerave, edhe e zhvatjes së hapësirës që i është bërë albanologjisë prej anarkisë dhe “pornografisë” së kulturës së rrugës, dhe bri saj të misionit të Institutit të Gjuhësisë. A ka një shërim, apo do të biem poshtë e më poshtë, e të çmendesh nga kjo shqipe e çatrafilluar nëpër blogje, nga ky jerm, përçartje e harakiri, sa shpirti të dhemb. Kolegët e mi të antropologjisë kulturore ankohen se s’ka më ekspedita në terren për studime serioze në këtë lëmi për shkak të mungesës së fondeve. Pas vitit 1990 ka një ndryshim rrënjësor, një përmbysje dhe zhvendosje të jashtëzakonshme të krejt dokeve, normave të sjelljes, zakoneve, raporteve pronësore, mendësisë, marrëdhënieve erotike, ritualit të festave, dasmave, vdekjes, veshjes tradicionale, folklorit, të përkthyera në tjetër format antropologjik. Por pa këto ekspedita dhe hulumtime të materies kulturore identitare, me zhvendosjet e shpejta e të rrëmujshme demografike nga periferia e veçuar rurale drejt qendrave urbane ku socialiteti është shumë më i shprehur, a mund të bëhen libra seriozë që i vlejnë dijes së kombit, që dëshmojnë procesin e ndryshimit historik të shpirtit tonë, “hartën” e ashtës sonë identitare? Kaosi i botimeve dhe pamundësia e vendosjes së një steke vlerësuese mes shkrimtarëve dhe artistëve të gjinive të ndryshme a s’është pasojë edhe e shpërfilljes së albanologjisë, pra e studimeve letrare artistike? Po sa nxiten këto botime, sa mbështeten me fonde? S’di për të tjerët, por në institutet albanologjike këto fonde janë pakuar vitet e fundit dramatikisht, sirtarët e studiuesve janë me libra-projekte të fjetura, si “luanët e vdekur” të Hemingueit. O Zot, kaq shumë i kushtoka qeses së shtetit, sado i shtrënguar fort e me arsye, për një grusht librash? Unë di se Ministria e Kulturës e Maqedonisë (mos qofsha i gabuar!) jep para për 1000 tituj librash të rinj në vit. Po ne ç’bëjmë, apo vjedhim bankat, sigurimet, majmin oligarkët dhe e lëmë një nga kabinetet dhe fakultetet e mendjes shqiptare në qorrsokakët e shpërfilljes? Shteti, jo pushteti, thuhet se përfaqëson të “drejtën absolute”. Mirëpo ky shtet, shkon një qeveri e vjen tjetra, ikën Hasani e vjen Hyseni, dhe ka lënë pas dore vite e vite projekte të një dimensioni madhor mbarëkombëtar që vetëm institutet e Albanologjisë mund t’i nxjerrin matanë. S’po flas për të tjerat, po përmend vetëm Enciklopedinë e Shqipërisë e menduar në 10 vëllime. Sa të vonuar jemi, o zot! Nisi puna me fjalësin e shqipes, por nuk e njoh ritmin e saj. Padyshim është një punë e madhe para, por sakaq shumë nga mendjet e ndritura të gjuhësisë kanë ndërruar jetë ose janë pensionuar. A nuk duhet nxituar që të fitohet koha e humbur dhe të shfrytëzohen kapacitetet filologjike të të gjallëve? U botua “Historia e shqiptarëve” në katër vëllime me një vështtim të ri komplementar, pritet një tjetër botim i historisë së Shqipërisë. E pra, kur ka para, uji lëviz. “Paraja e hedh shurrën përpjetë” apo “paraja ngjall të vdekurin”, thotë populli. Prandaj ç’i duam fjalët e bukura. Duhen para, domethënë një ndryshim i ndjeshëm dhe meritor i pagave dhe pas tyre i shpërblimeve të gjithfarta të punës shkencore. E ç’janë të gjitha këto?! Ndoshta një rrugë fshati a më pak. Por këtu në vendin tim janë shtruar rrugë fshati edhe atje ku lopët dhe dhitë i mbushin me kakërdhi e bajga çdo ditë, ku lëvizin tre qerre e tre makina, ku s’ka më njerëz por shtëpi të zbrazta, e jo më s’paska para për ca libra, honorare dhe ngritje pagash! Edhe njëherë turp! Mjaft më me kukamfshehtas!