Nga Pandi Laço
Më lejoni të shpreh një mendim ose opinion (quajeni si të doni) si njeri me një background mediatik, i cili mund të jetë edhe në konflikt me punën time të përditshme.
Shkak është humbja e një miku të çmuar para pak kohësh, por edhe ndarja papritur nga jeta e disa njerëzve të njohur e të panjohur! Me virtyte, plot energji, plane për të ardhmen…! Por humbje të tilla që janë bërë thuajse virale në ditët e sotme, na sjellin në kujtesë pandeminë.
Duket se një pandemi e një tjetër lloji, e pa zhurmshme na kërcënon ne si qenie humane. Nuk mund te jap asnjë gjykim me çfarë po ndodh, sepse kjo i takon shkencës, mjekësisë, statisticienëve.
Por, mund të jap një gjykim si njeri i televizionit dhe medias në përgjithësi…
Sa programe e emisione televizive realizohen për të sensibilizuar qytetarët për të respektuar botën, pyjet, detet etj., etj.?
Sa programe ka për të sensibilizuar për atë që po i ndodh natyrës, ndërkohë që po betonizohet gjithshka?
Sa emisione ka për të edukuar qytetarët për të ndjekur një stil jete të shëndetshme…, që fëmijët tanë po bëhen të varur nga një tastierë celulari e ekran tableti…?
Sa emisione utilitare ka në shërbim të qytetarëve për të informuar e ndërgjegjësuar se çfarë momenti po jeton rruzulli e ambienti ku jetojmë…
Sa programe informuese ka për mënyrën sesi ushqehemi, ndonëse në mes edhe vetë ky program do të çahet nga një spot publicitar për një produkt industrial që më shumë vret se sa ngjall!
Sa fushata sensibilizuese ka nga organizmat, qeveritë, shoqatat por edhe njerëzit e figurat me miliona ndjekës nëpër rrjete sociale?
Sa e sa e sa…mund të vazhdoj me dhjetëra pyetje të llojit të mësipërm pa marrë përgjigje. Dikush do më ironizojë e do më bëjë një kundërpyetje: “Po ti që merresh me spektakle argëtuese e që po na shet moral, sa herë ke sensibilizuar?”
Kokë ulur do përgjigjem “asnjëherë”.
Por fushatat kanë nevojë për reagime masive miq!
Edhe ky i sotmi, do rezultojë një “vrimë në ujë”.
Por njëherë të vetme mik e mikeshë e dashur, bojkoto politikën dhe emisionin tënd të preferuar, liderin për të cilin sakrifikohesh, reality-shown e radhës, imazhin e idhullin tënd me mijëra” followers”, publicitetin për atë produkt që të dëmton çdo ditë si një bombë me sahat!
Nuk ke detyrim të pëlqesh këtë post, po detyrim ke që të mendohesh…
- “Do të jetë historia më e madhe e të gjitha kohërave”/ Vajza e astronautit Ashley Hansen tregon emocionet e kthimit të babait në Tokë: Do t’i jap një përqafim të madh… - 11/04/2026
- Ndarja nga jeta e kongresmenit Eliot Engel, Presidenti Begaj: Mik i madh i popullit shqiptar dhe zë i fortë për ne - 11/04/2026
- Artemis II përfundon me sukses! Katër astronautët rikthehen në Tokë pas udhëtimit historik rreth Hënës - 11/04/2026