13.5 C
Tirana
04 / 12 / 2025

Drejtimi i një institucioni arsimor – autoriteti dhe aftësitë menaxhuese të tij

Nga Marsida Jarani

Institucionet arsimore janë komplekse dhe të veçanta në kërkesat e tyre për menaxhim. Zakonisht mendohet se të jesh drejtues i një institucioni të tillë është komoditet. Kjo sepse është krijuar bindja që reduktimi i orëve mësimore është njëherësh dhe reduktimi i orëve të punës. Në vetvete  drejtimi është përgjegjësi dhe kompetencë menaxheriale. Shumica e sipërmarrjeve në botë kanë dështuar për shkak se drejtuesit e tyre nuk dinë se ç’janë duke bërë me këtë sipërmarrje. 

Kjo është domethënia e çdo përpjekjeje për të qenë drejtues duke menduar se “të drejtosh” është aftësi e gjithkujt. 

Karriera e një individi është përvoja e tij. Ajo është e shkruar dhe e pasuruar me përvoja prove dhe trajnimesh për eksperienca që jo të gjithë mund t’i realizojnë. 

Të dhënat e kohës për karrierën e një drejtuesi, paraqesin disa cilësi që zakonisht gjenden tek një individ që aspiron të jetë drejtues dhe e fiton këtë mundësi;


Njohës i aftësive individuale në profesion.

  1. a. Zbërthyes i bazës ligjore që orienton institucionin që do të drejtojë;
  2. b. Ndërlidhës me institucione që derivojnë punën e tyre me institucionin që synon të drejtojë;
  3. c. Krijues i strategjive koherente për menaxhimin e situatave emergjente që mund të përballë institucioni;
  4. d. Novator në metodologjinë e drejtimit kontemporan;
  5. e. Kërkues dhe interrogativ (hetues) në situata të panjohura që paraqet puna, profesioni;
  6. f. Ekzaminues dhe diagnoztifikues i problematikave dhe kurues i tyre me maturi dhe paanshmëri;
  7. g. Tolerant dhe kërkues në të njëjtën kohë.


Drejtimi i një institucioni është përgjegjësi e vështirë e cila identifikon aftësitë menaxhuese të një individi. 

Aktorët që përfshihen në funksionimin e një institucioni kanë një formim divers i cili shpesh bëhet shkak për ngërçe në funksionimin e efiçencës drejtuese. Çdo drejtues paraprakisht ka një platformë të cilën e përdor si udhëzues taktik dhe teknik të drejtimit të institucionit.

Në fakt drejtimi dhe drejtuesi mendohen si të ndara, por në fakt janë pjesë e një pune të vetme menaxheriale. Të menaxhosh një institucion është po aq e vështirë sa të perceptosh të papriturën, të panjohurën. Menaxhimi është i vështirë, sidomos në një institucion ku burim dhe produkt është vetë njeriu.

Institucioni arsimor identifikon kryesisht tre lloje drejtuesish:

1- Atë bashkëpunues dhe shpërndarës kompetencash;

2- Atë jokonfident por kërkues ndaj bashkëpunëtorëve;

3- Lidershipin dhe menaxherin e çdo sipërmarrjeje;

– A është drejtuesi mësues?

Të mendosh që një drejtues është i shkëputur nga të qenit mësues është gabimi parësor që prish ekuilibrin e marrëdhënies bashkëpunuese midis dy funksioneve. 

Fillimisht një drejtues është mësues, koleg, partner e më pas përgjegjës për menaxhimin e institucionit.

Përveç faktit që një drejtues ka një normë mësimore si mësues, ai ka përgjegjësinë të jetë njohës i funksionimit dhe mosfunksionimit të punës së kolegëve. Këtë praktikë ai e arrin jo vetëm nëpërmjet kontrollit gjatë orëve mësimore, por edhe nëpërmjet sondazhimit dhe intervistimit të aktorëve të tjerë të institucionit që perceptojnë dhe përfitojnë nga puna e mësuesit. 

Një drejtues bashkëpunues me kolegët është një menaxher efektiv në funksionin e tij. Sikundër një menaxher konfliktual, jobashkëpunues është pengues e një procesi normal dhe vijues të procesit të rëndësishëm mësimor- edukativ.

Një drejtues nuk harron kurrë së qeni mësues, sepse dhe në rolin e tij si menaxher institucioni është në parim mësues, veçse në këtë rast nxënësit e tij nuk janë vetëm nxënësit e vërtetë. Të qenit drejtues të shndërron në njohës të legjislacionit dhe literaturës udhëzuese për arsimin dhe arsimtarët. Përveçse përcjellës i kësaj baze teorike, drejtuesi është edhe interpretues dhe adaptues i legjislacionit për institucionin ku punon. Thënë ndryshe, drejtuesi përshtat legjislacionin për kontigjentin e faktorëve të cilët janë në vartësinë e tij. Në këtë mënyrë, drejtuesi shndërrohet në lidership dhe lidershipi është ajo që vetë drejtuesi duhet të mësojë në vijim dhe për më tepër ajo që do t`u mësojë të tjerëve në vijim.

Forcimi i lidershipit dhe krijimi i figurës së tij

Një lider bashkëkohor e ndan vizionin e tij dhe bën bashkëpunëtor kolegët e tij. Duke ndarë vizionin e tij ai kontribuon në motivimin e tyre për të qenë efiçentë dhe produktivë në punë. 

Një strategji e tillë lejon që lideri të mos e demonstrojë hierarkinë funksionale dhe në këtë mënyrë ai u tregon kolegëve që edhe ata janë pjesë e drejtimit sikurse edhe drejtuesi është njëri prej tyre.

Një lider i mirë komunikon. Në arsim jo çdo ditë ka qetësi. Një ditë e zakonshme në institucione arsimore ka larmishmëri ngjarjesh dhe zhvillimesh. Çdo aktor ka një lëvizshmëri dhe përgjatë saj aktori tjetër nuk mund të jetë gjithmonë i gatshëm të jetë bashkëpunues. Situata të ndryshme sjellin debate, diskutime, stanjacion 

(ngërç) dhe pengojnë ecurinë e punës mësimore dhe edukative. Është puna e një lideri ajo që zgjedh gjuhën e duhur për të zbutur klimën dhe mosmarrëveshjet e për të nxitur vijëmësinë normale të punës.

Një lider merr vendime të vështira pa bërë kompromise. Në arsim nuk ka qëndrueshmëri (stanjacion). Gjithçka në arsim, sikurse koha, fluturon. Qëndrueshmëria në arsim krijon vanitet, rutinë, pasivitet. Atë çfarë sjell sekondi në arsim, nuk e sjell viti në një sektor tjetër. I takon liderit të marrë vendime të menjëhershme dhe efiçente në mënyrë që të mësojë nëpërmjet këtyre vendimeve e për më tepër të parandalojë situata e dukuri që pasojat i lënë në edukimin e brezave. 

Një lider i mirë kërkon suksesin dhe ndan rezultatet e tij si triumf i përbashkët me kolegët. Suksesi i një drejtuesi të institucionit arsimor nuk është vetëm nxënësi apo mësuesi ekselent. Ka situata të vështira të cilat e bëjnë një lidertë shkëlqejë. Përmes dështimeve shkencëtarët mësojnë. Por në arsim nuk ështe e lehtë dhe e pranueshme të dështosh sepse gabimet dhe dështimet bëhen mbi njerëz. Drejtuesi i një shkolle ka sukses bashkëpunimin, ndërtimin e ekipeve të punës, ngritjen shkencore të stafit të tij, komunikimin qytetar dhe civil midis stafit etj. Ky sukses përcillet si model dhe ndahet me kolegët si arritje e përbashkët që ka ardhur si fryt i bashkëpunimit.

Për ta përmbyllur institucioni arsimor në vetvete synon efiçencën dhe efektivitetin e një procesi të tërë që në vetvete ka detyrën themelore të një shoqërie; krijimin e një njeriu të qytetëruar me informacione të përgjithshme shkencore dhe shoqërore.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x