11.5 C
Tirana
17 / 05 / 2026

RREFIME: EDI RAMA SI BARONI FRANCEZ HAUSSMANN

Nga Ethem Ruka

Një nga Bulevardet e mëdha të Parisit mban mbiemrin e Baronit Georges Eugene Haussmann. Pakë njerëz e njohin këtë figurë brilante, me emrin e të cilit lidhet rilindja e Parisit modern. Deri atëhere ky qytet ishte tërësisht mesjetar. Rrugët e shtruara me gurë ishin tmerrësisht të ngushta e gjithë zigzage. Gjithandej kundërmonte erë e keqe nga mbeturinat dhe ujrat e zeza që notonin në sipërfaqe. Ishte koha kur rrugët e Londres kishin trotuare dhe kanalizimet kishin kohë që kishin përfundur.

Jemi pikërisht më 14 qershor 1853, kur Haussmann emërohet prefekt i Parisit. Shkelqimit të Perandorisë së Napoleonit të III, nuk mund t’i përgjigjej infrastruktura ekzistuese e kryeqytetit që nuk ofronte asgjë për zhvillimet e ardhëshme sociale dhe ekonomike. Napoleoni dëshironte ta shihte Parisin si kryeqytetin më të bukur të perëndimit. Që të arrihej kjo ëndërr u desh një Haussmann, i cili shpronësoi, shkatërroi dhe ndërtoi një qytet modern, Parisin, këtë qytet që sot është një nga vlerat më të mëdha europiane dhe botërore.

Nga rrugët e ngushta dhe lagjet geto lindën avenytë, sheshet, bulevardet dhe rrugët e mrekullueshme të Parisit të sotëm. Më 1878 filluan akuzat e para publike për mënyrën e shfrytëzimit të të ardhurave për qëllime publike. Opozita e atëherëshme parlamentare e shfrytëzoi këtë rast për të provokuar një komision hetimor dhe debat të ashpër ndaj këtij bonapartisti rrebel. Më 1878, me instalimin e Republikës së III e shkarkuan nga detyra.

Qysh atëhere ka kaluar më shumë se një shekull e gjysëm, por parizienët, sikundër dhe e gjithë Franca, e kanë futur Haussmannin në memorjen e artë të kombit, duke e kujtuar atë si arkitetktin e Parisit modern. Historia rivlerëson vetveten dhe ndëshkon deri në koshin e harresës penguesit e progresit. Parlamentarëve të asaj kohe, askush nuk u mban më mend emrin, ndërsa emri i Haussmannit gjendet ende sot në çdo manual të urbanistikës.

Në kohën kur Parisi rindëretohej, Tirana kishte një histori rreth 240 vjeçare. Në vitin 1840 popullsia e këtij qyteti numëronte vetëm 12 000 banorë. U desh rreth gjysëm shekulli që të arrihej në vitin 1920, kur Tirana u shpall kryeqytet i vendit.

Plani i parë rregullues i qytetit u hartua në vitin 1923 nga Estref Frasheri. U desh të shëmbeshin shtëpi e kopshte për të hapur rrugën e Durresit, e cila u quajt “Nana Mbretneshe”. Plani i vërtet modern rregullues i Qendra së Tiranës, u projektua nga arkitektet e njohur italiane të periudhes musoliniane, F. de Fausto dhe A. Brasini.

Bulevardi “Deshmoret e Kombit” u ndërtua më 1930. Atëhere ai quhej “Bulevardi Zogu i I-rë”. Plani rregullues i vitit 1957 u hartua mbi bazën e gjendjes ekzistuese të rrjetit rrugor si dhe shtimit e përmirësimit të tij. Ky plan i jepte qytetit një shtrirje deri te kufijtë e unazës së sotme të vogël. Sistemi i rrugëve radiale – unazore me dy unaza, një të jashtme e një të brendshme, parashikonte 75 km gjatësi.

Nga viti 1945 e deri në vitin 1990 popullsia e Tiranës u rrit katër herë. Dhjetëvjeçari i fundit të shekullit të kaluar shënoi rekordin në historinë e këtij qyteti. Në se në vitin 1990 popullsia popullasia ishte 250.000 banorë, Tirana e sotme numëron rreth 1 000 000 banorë. Periferia e Tiranës humbi kontrollin dhe secili ndërtoi ku mundi. Kryeqyteti u ndodh në gjendje shoku.

Qarkullimi filloi të rritej me shpejtësi dhe kuptuam se nuk kishim rrugë. Qyteti kish etje për ujë e energji dhe kuptuam se rrjetet eksistuese ishin të pamjaftueshme dhe të amortizuara.

Njerëzit, duke dashur të mbijetonin filluan tregëtinë me tezaga në cepat e rrugëve Dalëngadalë filluan të ngriheshin kioskat të vogla me karton, kompensatë, eternit etj. Numri i tyre shtohej. Më të guximshmit pushtuan qendrën e Tiranës, sipërfaqet e lira, parqet e pa dyshim edhe dy anët e Lanës. Ishte koha e kioskizimit masiv. Njerëzit duhet të mbjetonin.

Qytetarët shitën katet e para dhe i kthyen në njësi shitjeje. Kioskat filluan të prodhonin para, të cilat më pas u shndërruan në ndërtesa disakatëshe. Në këtë gjendje e gjetën qytetin e Tiranës socialistët në vitin 2000, pas qeverisjes së vështirë të demokratëve në kryeqytet.

Edi Rama u zgjodh kryebashkiaku i Tiranës. Ai ishte dhe vazhdon të jetë një njeri atipik për realitetin shqiptar. Ai jeton në paradoksin e më të lavdëruarit dhe më të kritikuarit.

Antikonformist i dalluar, rrebel në përmbushjen e synimeve të tij, autoritar, pragmatist modern, i djathtë në fillim e pastaj i majtë, njeri pa komplekse, modern në pikëpamje, mediatik e artist në shpirt, intelektual që kërkon ndryshime të shpejta, njeri që ka forcë për të rezistuar, qyetarar i kulturuar dhe i pasur në ide, i pasur në informacione, i palodhur në punë, origjinal në veshje dhe konceptet për jetën.

Rama, sipas meje, është njeriu që do të eci më shpejtë se koha dhe mundësitë që i ofron realiteti. Ai nuk pret vendimin e gjykatës për të hequr një shtyllë në rrugë, por merr vet sopatën për ta prerë. Në se gjeni gabime te Edi Rama, origjinën kërkojeni kryesisht në këtë kontradiktë.

Thonë se Edi Rama është zbulim i Fatos Nanos, i cili qe i pari që e promovoi në ekzekutivin shqiptar si Ministër të Kulturës. Rama kërkoi me forcë të transformonte kulturën dhe produktin e saj nga kuadrati i regjimit të kaluar në atë të ekonomisë së tregut. I përballur me reagime të fuqishme të komunitetit të artistëve, Rama nuk njohu tërheqje, por filloi të bëhej gjithmonë e me publik, gjithmonë e më karizmatik për publikun.

Dikur e kisha në krahë në mbledhjet e qeverisë. Si dëshmitar mund të pohoj me bindje se Rama ose i kundërshtonte ose i kalonte në heshtje shumë vendimeve qeverie. Shpesh kërkonte fjalën, por kryeministri Nano e shmangte me takt. Njëherë ai nuk duroi dhe ju drejtua kryeministrit duke i thënë: “Po ma jep fjalën zoti Kryeministër, se edhe në se nuk nxjerr flori nga goja të paktën tunxh do të nxjerr”. Këtë personazh e identifikoi PS e Tiranës për kryetar bashkie, dhe me të fitoi.

Evolucioni i Tiranës ishte spektakolar. Tirana nisi të bëhej kryeqyteti i shpresës së rilindur të gjithë shqiptarëve. Ndryshimet ishin drastike. Askush nuk mund ta imagjinonte se getua përballë “Hotel Dajtit” do të transformohej në një park të mrekullueshëm, ashtu siç u transformua Lana e masakruar në të dy anët, rrugët kryesore, si ajo e Durrësit, Kavajës, Myslim Shyrit, Kombinatit, Unaza e Vogël, apo siç u transformuan godinat qendrore në qendër të qytetit. Koloriti i ngjyrave të godinave buzë rrugëve kryesore i dhanë qytetit një pamje optimiste e festive.

Tirana u shndërra në një kantier të madh, në qytetin e shpresës së rilindur të gjithë shqiptarëve, Në një periudhë pak më shumë se dy vjeçare u gjelbëruan 135 000 m2, u pastruan 200 00 m3 inerte dhe u rindërtuan 180 000 m2 rrugë e trotuare të reja. Gjatë dy vjetësh u instaluan afro dymije pika ndriçimi dhe u mbollën afro 3000 pemë në qytet dhe reth 10.000 ne parkun e liqenit.

Historia e zotit Edi Rama na kujton atë të Baronit George Eugene Haussmann. Në vitin 2003 krybashkiaku Rama u vu nën kontroll të rreptë parlamentar, ashtu si Haussmann në vitin 1878 nga parlamenti francez. Të dy u dyshuan për shpërdorim fondesh. Distancë e madhe kohore, por paralelet janë të njëjta.

Haussmann u kontrollua kur po krijohej Republika e tretë, kurse Zoti Rama në prag të zgjedhjeve të pushtetit vendor. Konteksti ishte i qartë. Marrja ose humbja e bashkisë së Tiranës ishte fitimi ose humbja e kredibilitetit politik për socialistët dhe demokratët. Socialistët nuk donin ta humbasnin Tiranën, ndërsa demokratët donin ta rifitonin.

Paraliza financiare dhe mbajtja nën trysni e bashkisë së Tiranës do të shkonte në favor të demokratëve. Kontroll qe i ashpër dhe debati parlamentar edhe më i ashpër. Përfundimi ishte asgjë. Rama vazhdoi detyrën edhe më i fortë për të qeverisur tre mandate, duke u bërë kryebashkiaku më jetgjatë dhe më i sukseshëm në historinë e Tiranës. Emrat e parlamentarëve të komisionit hetimor, megjithëse kanë kaluar vetëm 20 vite, nuk i mban mend askush.

Paradokset janë të pafundme. Një nga kolegët e mi demokrat bëri një nga diskutimet më të ashpër kundër Ramës në parlament. Pas nja dy javësh, po ai deputet në kofidencë më tha se vajza e tij gjithë ndrojtje i kish thënë se do të votonte për Edi Ramën. I ati ja pat prerë: ‘Shumë von e ke vendosur, unë për vete kam dy vjetë që e kam ndarë mendjen për Edi Ramën”.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x