6.5 C
Tirana
27 / 12 / 2024

Pse i kanë ulur tonet amerikanët (dhe të tjerët)?!

Nga Skënder Minxhozi/

Në një traditë të konsoliduar në rrjedhën e viteve, ambasadat amerikane dhe britanike (shpesh edhe Delegacioni i BE), kanë dalë që të treja njëkohësisht dhe për të njëjtën temë me deklarata publike, sa herë që Shqipëria kalonte momente të tensionuara politike. Rasti klasik mbeten thirrjet e përsëritura, gjatë krizës së mandateve në 2019, kur opozita kërcënonte para çdo mitingu, se do të sulmonte selitë kryesore të shtetit në Bulevard. Deklaratat e treshes në fjalë kanë ndaluar bilance shumë më dramatike se ato që pamë ato kohë në dyert e selive qeveritare.

Një pozicion të tillë të koordinuar e pamë këto orë nga amerikanët dhe britanikët, e më pas gjermanët, në një kontekst krejt tjetër, por me të njëjtët aktorë. Tre ambasadat, që duhet rikujtuar për ata që shohin ëndrra me diplomatë të dirigjuar nga Xhorxh Sorosi, kanë deklaruar zyrtarisht dhe në emër të vendeve të përfaqësojnë, se “një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t’u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar”, duke shtuar se “mosfunksionimi i përsëritur i vërejtur gjatë muajve të fundit nuk është në interes të Shqipërisë”. Një qëndrim në pamje të parë i balancuar, që bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog mes palëve.

Këto rreshta s’do të lexoheshin drejt dhe siç duhet, nëse nuk do të vendoseshin në kontekstin e ngjarjeve të javëve të fundit, që kanë vënë përballë Rithemelimin e Sali Berishës me shumicën socialiste. Nisja e hetimeve ndaj ish-kryeministrit dhe dhëndrrit të tij Jamarbër Malltezi, përbënë pikën e ujit që derdhi gotën opozitare. Për të gjithë ata që përbetohen sot se kjo sjellje radikale e Rithemelimit përkoi vetëm rastësisht me nisjen e hetimeve për klubin Partizani, përgënjeshtrimi qëndron tek kronologjia kohore e asaj që ndodhi më pas.

Prej një muaji skena politike është tronditur nga ashpërsimi i skajshëm i qëndrimeve të një pjese të opozitës. Javë të tëra me komisione parlamentare të bllokuara, deputetë që shtyjnë e godasin njëri-tjetrin, tym e flakë në seancat plenare dhe një (jo)diskutim pesëminutësh i buxhetit vjetor të shtetit. Berisha ka rinisur turet e tij të zakonshme “në bazë”, megjithëse deri tani publiku shqiptar i ka dëgjuar me indiferencë të plotë thirrjet e tij të përsëritura për revolucion e përmbysje.

Në këtë kontekst të njohur për sytë dhe veshët tanë, arbitrat e huaj, ambasadat, ministritë e jashtme, grupimet politike evropiane, duhej të kishin ndërhyrë me kohë. Në një tjetër situatë do të kishim misione ndërmjetëse nga kontinenti që do të shëtisnin në zyrat e partive dhe të shtetit, si dhe deklarata e qëndrime të ashpra, siç e do zakoni i 30 viteve nën këtë tranzicionin tonë të pafundëm.

Ja që nuk është kështu. Sepse në një muaj sherre politike, me ose pa tym e flakë, të huajt kanë qëndruar larg konfliktit, si për ta lënë atë të konsumohet në paqe. Dhe pasiviteti e ka një shkak. Jo dy, tre apo katër të tillë, por vetëm një: quhet Sali Berisha. Është i vetmi shkak që shtyu të njëjtat ambasada që bënë deklaratën e sotme me tone të përgjithshme pajtimi, që t’i kujtojnë Gaz Bardhit e të tjerëve në 21 shtator të këtij viti, që të mos ulen në një tryezë me non gratat. Janë të njëjtët faktorë, pra amerikanët, të cilët ftuan para pak javësh të gjithë parinë e SPAK në Uashington, ndërsa Berisha nisi sulmin frontal ndaj drejtësisë që po e heton.

Është thënë disa herë që kjo krizë nuk është si të tjerat. I mungojnë dy faktorë bazë: populli protestues para zyrës së Ramës dhe deklaratat fshikulluese të ndërkombëtarëve. Ajo që lexuam sot është vetëm një kopje e zbehtë e asaj çka kemi parë e dëgjuar vite me radhë. Dhe arsyeja është ulur këmbëkryq në mes të meidanit plot tym e flakadanë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x