Dy gjysmat e Partisë Demokratike pas 32 vitesh duket se kanë hyrë në një garë për të luftuar komunizmin dhe ish Sigurimin e Shtetit. Disa ditë pasi PD-ja zyrtare e drejtuar nga Enkelejd Alibeja depozitoi në Kuvend një projektligj për dekomunistizimin, pjesa tjetër e PD-së që drejtohet nga Sali Berisha ka bërë gati një projektligj për pastërtinë e figurës, më konkretisht për largimin e spiunëve të ish Sigurimit të Shtetit nga piramida shtetërore. Projektligji është i ngjashëm me ligjin e lustracionit të vitit 2008, miratuar nga PD-ja në Kuvend, por i rrëzuar dy vite më pas nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetues.
Referuar përmbajtjes së projektligjit, Sali Berisha është kujdesuar për të përjashtuar veten e tij si subjekt i veprimit të ligjit, duke hequr nga kategoritë pozicionin e sekretarëve të Partisë së Punës së Shqipërisë. Për vite me radhë, Berisha ka mbajtur pozicionin politik të sekretarit të Komitetit të Partisë së Punës në Fakultetin e Mjekësisë te Universiteti i Tiranë.
Në projektligj parashikohet se nuk mund të ushtrojnë funksione publike dhe as nuk mund të zgjidhen ata që kanë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor, hetuesit dhe krerët e drejtësisë komuniste, bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit, çdo punonjës i organeve të Sigurimit të Shtetit, ministër, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, kryetarët e degëve të punëve të brendshme, personat që kanë mbaruar shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, anëtarë të Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset gjyqësore politike. Sekretarët e partisë duket se janë shmangur qëllimisht për të shpëtuar Berishën, i shpallur dy herë non grata nga SHAB dhe Britania e Madhe.
Nga ana tjetër, në projektligj janë përfshirë bashkëpunëtorët e ish Sigurimit të Shtetit, duke rrezikuar Ilir Metën, gjithnjë nëse nisma do të miratohet me 84 vota. Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, përmes një dosje referuar në Kuvend, e ka hedhur poshtë këtë certifikatën e pastërtisë së figurës së Ilir Metës, lëshuar nga komisionet Mezini dhe Bezhani, duke e implikuar Metën në ish Sigurimin e Shtetit. Sipas Autoritetit, Ilir Meta ka bashkëpunuar me ish Sigurimin e Shtetit, duke spiunuar edhe shokun e tij, Filip Talo. Autoriteti kërkoi heqjen e pengesës ligjore për të verifikuar Metën dhe të gjithë ata që tundin certifikatat e pastërtisë së figurës.
Ilir Meta ka mohuar që të ketë qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit, ndërsa ka kallëzuar penalisht anëtarët e Autoritetit të Dosjeve për manipulim. Ndërkaq, rastësi apo jo, projektligji i Berishës për ndëshkimin e spiunëve të ish Sigurimit të Shtetit vjen disa ditë pasi Ilir Meta priti në zyrat e Partisë së Lirisë ambasadoren amerikane Yuri Kim./ Shqiptarja.com
- Gjyqi historik në Francë/ Presidenti Macron falënderon Gisele Pelicot: Dinjiteti dhe kurajoja juaj kanë inspiruar botën! - 20/12/2024
- Përqafime dhe të qeshura! Dalin pamjet nga takimi i Ramës, Kurtit dhe Osmanit/ Momenti epik kur kryeministri i jep dorën edhe Spiropalit - 20/12/2024
- Sopranoja: Parashqevia komuniste? Godole injorante dhe me prejardhje komuniste! - 20/12/2024