14.5 C
Tirana
16 / 05 / 2026

Putin po shkon në Kinë. Një nga vendet e pakta ku mund të shkojë si i akuzuar për krime lufte

Analizë nga Erik Larson | Bloomberg

Përgatiti: Taulant Hatia

29 gusht 2023

Presidenti rus Vladimir Putin, këto ditë nuk po lëviz shumë jashtë vendit. Po të vizitojë ndonjë nga 123 vendet, që janë anëtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, rrezikon të arrestohet me një urdhër për krime lufte të dyshuara në Ukrainë. Ndërsa urdhër-arrestet ia kanë kufizuar udhëtimet Putinit, nuk është e sigurt nëse ai ose udhëheqës të tjerë të lartë rusë do të sillen para drejtësisë sipas ligjit ndërkombëtar. Ndërkohë, Gjykata po heton të tjera krime të mundshme. Nga ana e saj, Ukraina i nxori në gjyq ushtarët rusë të kapur për krime lufte në këta muaj nga fillimi i konfliktit. 

  1. Çfarë janë krimet e luftës?

Ato janë shkelje të rregullave të luftës, siç përcaktohen në traktate të ndryshme, veçanërisht Konventat e Gjenevës, një seri marrëveshjesh të lidhura ndërmjet viteve 1864 dhe 1949. Krimet e luftës përfshijnë vrasjen me dashje, torturën, përdhunimin, përdorimin e urisë si armë, pushkatimin e luftëtarëve që janë dorëzuar, përdorimin e armëve të ndaluara, si armë kimike dhe biologjike, dhe sulmet e qëllimshme ndaj objektivave civile. Kremlini i ka hedhur poshtë akuzat se trupat e tij kanë kryer shkelje të tilla në Ukrainë.

  1. Për çfarë akuzohet Putini?

Në urdhër-arrestet e lëshuara më 17 mars, Gjykata me bazë në Hagë akuzoi Putinin dhe Maria Aleksejevna Lvova-Belovën, komisioneren e tij për të drejtat e fëmijëve, se mbanin përgjegjësi për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina në Rusi që nga fillimi i luftës. Ekspertët e të drejtave të njeriut vlerësojnë se, më shumë se 19,000 fëmijë u deportuan në fund të gushtit. Zyrtarët rusë thonë se i kanë marrë fëmijët si gjest humanitar gjatë kohës së luftës. 

  1. Si i kanë kufizuar urdhrat udhëtimet e Putinit?

Që kur Gjykata shpalli urdhrat, Putini nuk është larguar nga Rusia përveçse për të vizituar zonat e pushtuara nga Rusia në Ukrainë. Ai anashkaloi samitin e mesit të gushtit BRICS në Afrikën e Jugut, pasi ai vend bëri të qartë se do të duhej ta arrestonte, si vend nënshkrues i konventave përkatëse. Në fund të gushtit, Kremlini tha se, në tetor, Putini do të udhëtonte në Kinë, e cila nuk është palë e GJPN-së. 

  1. Cilat krime po heton GJPN-ja?

Ajo dërgoi një ekip prej 42 personash – dislokimi më i madh i tillë – në Ukrainë, për të hetuar krimet që bien në juridiksionin e gjykatës. Edhe pse Ukraina nuk është anëtare e saj, ajo pranoi juridiksionin e gjykatës për incidentet në territorin e vet, duke filluar disa muaj përpara se Rusia të pushtonte gadishullin e Krimesë në 2014. Përveç krimeve të luftës, GJPN-ja po heton krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin. Të parat përkufizohen si akte të tilla si vrasja, skllavërimi, dëbimi, burgimi, përdhunimi dhe aparteidi, kur kryhen si pjesë e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër një popullsie civile. Gjenocidi përkufizohet në një konventë të OKB-së të vitit 1948 si akte specifike që synojnë “të shkatërrojnë, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar”. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka akuzuar Rusinë për gjenocid.

  1. Cilat janë perspektivat e gjykimit të Putinit apo zyrtarëve të tjerë rusë?

Mungesa e ndryshimit të regjimit në Moskë, nuk është gjë e mirë. GJPN-ja nuk lejon gjykime në mungesë dhe nuk ka gjasa të shtjerë në dorë Putinin ose zyrtarët e tij. Ajo mbështetet në shtetet e saj anëtare për të kryer arrestime, por zyrtarët e akuzuar rusë mund të shmangin gjithmonë udhëtimin në një vend që mund t’i arrestojë. Nga dy duzina njerëz kundër të cilëve GJPN-ja ka ndjekur rastet e krimeve të luftës, rreth një e treta mbeten të lirë. Të akuzuarit kanë qenë anëtarë të grupeve të armatosura dhe jo udhëheqës ushtarakë politikë ose shtetërorë, me katër përjashtime – një gjeneral libian, ish-presidenti i Sudanit, Omar al-Bashir dhe dy nga ministrat e tij – asnjëri prej të cilëve nuk i është dorëzuar GJPN-së. Liderë të shumtë politikë u ndoqën penalisht për barbari në Ballkan dhe Ruandë, por ato gjykata u krijuan nga Këshilli i Sigurimit, ku Rusia ka të drejtën e vetos.

  1. Cila është qasja e Ukrainës?

Me ndihmën e një numri vendesh, përfshirë SHBA-në, zyrtarët ukrainas filluan të mbledhin prova të krimeve të luftës në fillim të konfliktit. Nga mesi i vitit 2023, ata kishin hapur 80,000 raste. Në gjyqin e parë, një gjykatë ukrainase dënoi një ushtar rus me burgim të përjetshëm për vrasjen e një civili të paarmatosur. Në të dytën, dy ushtarë morën 11.5 vjet burg për granatimin e një objekti arsimor. Në një koment të botuar në “The Conversation”, Robert Goldman, president i Komisioneve Ndërkombëtare të Juristëve, tha se qasja e Ukrainës ishte e lejueshme sipas ligjit ndërkombëtar, por ndoshta jo e mençur. Ai vuri në dukje se Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka paralajmëruar kundër mbajtjes së gjykimeve të tilla gjatë luftërave, për shkak të pamundësisë që i akuzuari të përgatiste siç duhet një mbrojtje në ato kushte.

  1. Si janë ndjekur penalisht krimet e luftës në të kaluarën?

Në një ushtrim të hershëm të drejtësisë penale ndërkombëtare, fuqitë aleate provuan dhe ndëshkuan udhëheqësit gjermanë dhe japonezë pas Luftës së Dytë Botërore, duke dënuar disa me vdekje. Për shkak se aleatët i dhanë vetes imunitet nga akuzat për krime lufte, gjykatat u kritikuan si drejtësia e fituesve. Për të shmangur këtë konflikt interesi, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara krijoi gjykata të pavarura ndërkombëtare për të ndjekur penalisht mizoritë në Ballkan dhe Ruandë në vitet 1990. Ato tmerre ringjallën një ide të shekullit të 19-të për krijimin e një gjykate të përhershme botërore për t’i mbajtur njerëzit përgjegjës për akte çnjerëzore masive. GJPN-ja lindi në vitin 2002 nga një traktat i quajtur Statuti i Romës. Përveç Rusisë dhe Kinës, jonënshkrues me ndikim përfshijnë Indinë dhe SHBA-në, të cilat thonë se vendosja e qytetarëve të tyre nën juridiksionin e gjykatës do të shkelte të drejtat e tyre kushtetuese. 

©️2023 Bloomberg

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x