13.5 C
Tirana
09 / 04 / 2026

Problemi i madh i Kosovës

Nga Ermal Mulosmani

Kolapsi që ka mbërthyer Veriun e Kosovës dhe situata e tendosur politike mes Kurtit dhe administratës amerikane ka prodhuar një tension të lartë mes përkrahësve të tij sovranë dhe ne, “servilëve qullacë amerikanë” :).

Përkrahësit e Kryeministrit, ndërmjet të cilëve gjenden mjaft miq të mi apo njerëz për mendjen dhe integritetin e të cilëve kam mjaft respekt, kanë për zemër të përmendin shkaqet që çuan në këtë situatë. Janë shumë të qartë në argumentimin e tyre se Qeveria e Kurtit nuk ka bërë asgjë më shumë sesa pritet të bëjë një Qeveri e përgjegjshme dhe sovrane: ka organizuar zgjedhje të lira në komuna ku Kryetarët kanë lënë detyrën e tyre.

A ishin serbët që braktisën detyrën? – Po. A u shtyn zgjedhjet disa herë për ato komuna që të gjendej një zgjidhje dhe Lista serbe të merrte pjesë? Po. A u bojkotuan zgjedhjet megjithatë nga serbët? Po. A u njohën kryetarët e zgjedhur nga komuniteti ndërkombëtar duke i dhënë legjimitet zgjedhjeve? Po. A duhet të fillojnë punë kryetarët e zgjedhur për të kryer punët bazë ndaj komunitetit? Logjikisht po.

Pra, Albin Kurti, nga një pikëpamje sovrane ka qenë legjitim e madje edhe bashkëpunues tolerant për të kryer detyrën si Kryeministër i një vendi Sovran.

Nga ana tjetër, serbët e këtyre komunave kanë qenë refraktar, refuzues, kundërshtues, rebelues. Ata nuk duan ta njohin pushtetin e Prishtinës në komunat e tyre. Kjo politikë refuzuese është qartazi e diktuar nga Beogradi.

Deri këtu problemi është i qartë: Kurti është në anën e drejtë dhe këtu gjitha palët bien dakort.

Ky konstatim është fatkeqësisht shumë më kompleks. Eh, sa do doja që Kurti ta kishte gabim. Do ishte shumë kollaj zgjidhja: Kurti do tërhiqej dhe problemi zgjidhej.
Po kur është në të drejtën e vet atëherë si i bëhet?

Amerikanët e dinë po aq sa përkrahësit e Kurtit se e drejta është në anën e shqiptarëve të Kosovës. Por kjo gjë atyre duket se as nuk u bën fare përshtypje. Atyre nuk u bën përshtypje as refuzimi i dhunshëm serb i diktuar nga Beogradi.

Problemi më i madh i Kosovës është se amerikanët sot janë në krahun e “milicisë fashiste serbe” më shumë sesa të Qeverisë legjitime të Kosovës. Ata kanë vendosur ti japin sa më shumë favore serbëve brenda Kosovës për t’i joshur ata në aleancën e re gjeopolitike. Atyre pak u intereson sot “e drejta”, “legjitimja” apo mendimi i kosovarëve mistrecë. Ata duan sa më shumë bindje prej tyre. Kjo është situata.

Në këtë situatë janë dy qëndrime. I pari është ky i yni, “servilëve qullacë të Amerikës” që themi se këllqet tona nuk janë për të rezistuar ndaj Amerikës (në këtë moment Serbia dhe Amerika duket sikur janë të sinkronizuara për fatin keq tonin). Një luftë që nuk e fiton mos e nis. Nëse Sekretari i Shtetit dhe emisarët më të lartë të Perëndimit të godasin pa të drejtë, si do e përballosh izolimin politik të tyre? Si do i rezistojë një shtet kaq i dobët, që ka sponsor kryesor ndërkombëtar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një izolimi bash në ditët e vet më të vështira?

Pyetja kryesore është: 1) Me Amerikën dhe pa Veriun apo 2) Pa Amerikën dhe me Veriun në konflikt të hapur.

Në këtë rast unë mendoj se aleanca me Amerikën është më e rëndësishme sesa çdo gjë. A ka gjasë që Kosova të ushtrojë pushtetin e saj sovran edhe në Veriun e Kosovës pa mbështetjen e SHBA-së? Unë e shoh të vështirë.

Pikëpamja e mbështetësve të Kurtit, sipas së cilës, Kosova duhet që të mos nënshtrohet pasi e drejta është me të mund të jetë e drejtë. Por, unë e shoh të gabuar. Nëse aleanca me SHBA rrezikohet nga kjo rezistencë humbja që do të pësojë shteti i ri i Kosovës do të jetë shumë më i madh sesa Veriu i Kosovës.

A ia vlen të rrezikojë kaq shumë?! Kjo është dilema. Apo jemi kaq qullecër ne proamerikanët?!
Sa mirë sikur të ishte kështu por druaj se jo…

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x