Mediat greke shkruajnë se të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në fshatin Drosero Xanthi, një zonë e cila ka marrë një vëmendje të shtuar mediatike pas vrasjes së një 46-vjeçari.
Vrasja ka nxitur një zinxhir ngjarjesh në 24-orë, ku familja e dëmtuar kërcënon me hakmarrje dhe eliminimin e anëtarëve të familjes tjetër.
Mbrëmjen e djeshme familjarët e viktimës dogjën banesën e auorit dhe vëllait të tij. Banorët e fshatit janë në panik, pasi të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar gjatë gjithë ditës këtë të martë, kur u bë varrimi i viktimës.
Në zonë ka forca të shumta policie që kontrollojnë imtësisht hyrjet dhe daljet në vendbanim, ndërsa shërbimi zjarrfikës ndodhet në gadishmëri për çdo të papritur.
Vrasja e 45-vjeçarit tërhoqi vëmendjen e mediave për shkak të një fenomeni shqetësues në zonë mbi martesat e të miturve në komunitetin rom.
Sipas burimeve policore, viktima, i cili ishte gjyshi i një vajze 15-vjeçare, dyshohet se ka prishur marrëveshjen për ta “martuar” mbesën me djalin 17-vjeçar të autorit të krimit. Më konkretisht, autori dyshohet se ka bërë një “marrëveshje” dhe ka paguar 6000 euro për mbesën e mitur të viktimës, ndërkohë që ky i fundit pas martesës ka marrë mbrapsht vajzën dhe nuk ka kthyer lekët.
Në kulturën lokale, thyerja e paktit të martesës cilësohet si një fyerje e rëndë e kodit të nderit dhe sipas traditës “lahet me gjak”.