Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi se nuk planifikon të nënshkruajë asgjë në takimin e 18 marsit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në një fjalim drejtuar kombit të enjten pasdite, Vuçiç tha se nuk ka ende një draft të asaj që do Bashkimi Evropian në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë, shkruan REL.
“Ne e kemi dorëzuar propozimin tonë, shqiptarët të tyrin. Nuk kemi marrë ende asgjë nga Brukseli dhe ai dokument ende nuk ekziston”, theksoi ai.
Kurti dhe Vuçiç, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të BE-së, do të takohen të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar zbatimin e një plani të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Në një takim në Bruksel, më 27 shkurt, ata e pranuan në parim përmbajtjen e këtij plani që njihet edhe si Marrëveshje drejt normalizimit.