Mimoza Paja ishte viktimë e pafajshme e breshërisë së plumbave që kishin për qëllim të shuanin jetën e shumë personave që ndodheshin në lokalin e Fatjon Muratit, por që fatmirësisht të gjithë shpëtuan. Sot, pikërisht në banakun ku ajo punonte, ka shkuar gazetarja Anila Hoxha, e cila ka parë nga afër sendet personale të Mimozës që edhe sot kanë mbetur të palëvizura nga vendi i ngjarjes.
Veç shenjave të plumbave, shenja të tjera domethënëse tregojnë se sa e brishtë është jeta e qytetarit në Shqipëri. Shapkat e Mimozës, syzet dhe xhupi i saj janë ende në vendin ku ajo u vra nga krimi, të pamarra nga askush, edhe pse 58-vjeçarja u përcoll për në banesën e fundit, ndërkohë që lokali është ende i rrethuar me shirita. Askush nuk hyn përveç grupit hetimor që ende mbledh të dhënat për të mësuar se çfarë ka ndodhur, por autorët duket se janë shumë larg kapjes.