Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama njoftoi se që nga muaji Prill mjekët specialistë do të marrin 50 mijë lekë të reja bonus. E ftuar në studion e Abc Neës, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u shpreh se kjo është një masë e ndërmarrë për të mbështetur profesionistët në sektorin shëndetësor.
“Është një masë që i përket një strategjie që qeveria ka për të mbështetur profesionistët. Kemi kaluar në në moment të ri, ku ka ekzistuar hierarkia e pagave në nivel politik dhe tani po kalojmë në një hierakri pagash në profesion. Pra, profesionistët kanë një vlerë të shtuar në të gjithë sistemet ku ata kontribuojnë.
Kryeministri lajmëroi rritjen e pagave për mjekët specialistë në të gjitha strukturat. Do të ketë rritje prej 50 mijë lekë të reja dhe për pjesën tjetër të personelit, do të ketë rritje page prej 7 përqind. Është një masë në kuadër të strategjisë tonë në kuadër të zhvillimit të burimeve njerëzore për të adresuar edhe sfidat e mobilitetit të profesionistëve të shëndetësisë që kanë prekur edhe rajonin, edhe Evropën.”, tha ministrja e Shëndetësisë.
Ndërkaq, ministrja shtoi se sfidë mbetet rritja e kuotave të pranimeve në universitetin e mjekësisë por gjithashtu edhe për të përgatitur më shumë personel shëndetësor. Gjatë intervistës, Manastirliu shtoi se vetëm gjatë vitit të shkuar, janë punësuar mbi 340 mjekë dhe 950 infermierë.