19.5 C
Tirana
02 / 11 / 2025

Rehabilitohet Ura e Çerkezës, Veliaj: I paraprijmë emergjencave!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte në Urën e Çerkezës, në Zall Herr, për të parë punën e bërë për rehabilitimin e saj. Veliaj tha se, më parë, ura bëhej e pakalueshme sa herë që kishte shira, pasi niveli i ujit ngrihej mbi nivelin e urës, por falë ndërhyrjes nga Bashkia e Tiranës, niveli i urës është ngritur dhe gjithashtu është zgjeruar me dy korsi.

“Nëse kishte shi, niveli i ujit ngrihej mbi nivelin e urës dhe ajo bëhej e pakalueshme. Në të gjitha ndërhyrjet që kemi bërë në zonën e Zall Herrit, si për ngritjen e nivelit të urës, zgjerimin e saj me dy korsi, sërish jemi përgatitur edhe me një hapje të shtratit të lumit, për t’u siguruar që kemi bërë të njëjtën gjë si me Lumin e Lanës, Lumin e Tiranës dhe Lumin e Tërkuzës”, tha Veliaj.

Ai shtoi se përforcimi i digës në Urën e Çerkesës, do të shërbejë si një hapësirë rekreative, në mënyrë që të frekuentohet nga banorët e zonës. Sipas Veliajt, ajo do jetë një tjetër hapësirë e gjelbër për qytetarët, që ata të mos kenë nevojë të shkojnë deri te Parku i Liqenit Artificial apo te Parku i Liqenit të Farkës.

“Përforcimi i digës së Çerkezës ka potencialin që, përveçse si rezervuar që ndihmon vaditjen e tokës bujqësore, të jetë edhe një hapësirë e jashtëzakonshme për park, si në Farkë. Pra, të kthehet në një hapësirë rekreative dhe të gjelbër për qytetarët. Pra, hapi i radhës, tani që u bë rruga, u bë ura, u bë argjinatura, u bë edhe diga, është të sigurohemi që ta përdorim edhe si një park për komunitetin. Rritja e Tiranës është e pashmangshme, prandaj gjasat janë që brenda një dekade, kjo zonë të jetë zona tjetër që do të popullohet. Do të jetë një nga zonat më të lakmuara sepse sapo hapëm shkollën e re në Dritas, nevojat po plotësohen pa pasur nevojë të vish deri te sheshi Skënderbej për të marrë shërbime. Për sa kohë transporti, arsimi, apo hapësirat rekreative janë këtu, besoj se i kemi rritur vlerën pronës”, sqaroi Veliaj.

Për skeptikët e reformës territoriale Veliaj tha: “Ata që e kanë kritikuar reformën territoriale duhet të kuptojnë se Zall Herri, me buxhetin që kishte si ish komunë, nëse nuk do të ishte bashkuar me Tiranën, investimet për shtëpitë e rindërtuara, rrugët, urat, argjenaturat, nuk do i kishte bërë për 70-80 vjet. Rruga e Krrabës, nga Lapidari deri në Krrabë, e paprekur prej viteve ’60, nuk do të ishte bërë me buxhetin e ish komunës Krrabë. E njëjta gjë për rrugën e Shën Gjergjit, për rrugën e Zall Bastarit. Zall Bastarit do i duheshin mbi 100 vjet, me të ardhurat modeste që kishte. I jam vërtetë mirënjohës atyre që besuan se bashkimi me Tiranën na bën më të fortë.”, përfundoi ai.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x