Me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë, Kuvendi i Kosovës, mbajti një seancë solemne, ku nisi me himnin e Kosovës, me atë të BE-së, si edhe me “Baresha”, të Nexhmije Pagarushës. Në fjalën e saj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pati një mesazh për politikën, ku tha se pavarësisht ndasive politike, në këtë drejtim duhet të bëhen të gjithë bashkë. Osmani, theksoi se është e nderuar që sot nga foltorja e Kuvendit i uron qytetarët për shtetësinë e vendit. Ajo ka përmendur ata të cilët kanë luftuar e dhënë kontributin e tyre për Kosovën që është sot. Ka përmendur presidentin historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugovën, komandantin legjendar Adem Jasharin, por jo edhe krerët e UÇK-së që gjenden në Hagë.
“Jam e nderuar që sot në ditëlindjen 15’të të Kosovës sonë të mund të ju drejtohem nga foltorja e Kuvendit. Më lejoni ta përgëzoj secilin qytetar për kontributin në ndërtimin e shtetit tonë të përbashkët. Ta kujtojmë dijetarin e shtetësisë sonë, presidentin historik dr. Ibrahim Rugovën. T’i kujtojmë bijtë e bijat tona të cilët të rreshtuar në UÇK sakrifikuan jetën e tyre. Komandantin historik, Adem Jasharin. T’i kujtojmë përfaqësuesit e institucioneve të pavarura që kontribuuan për këto 15 vite në shtet ndërtim”- ka deklaruar Vjosa Osmani. Megjithatë, ndonëse Osmani nuk i përmendi, UÇK “ishte” në Kuvend. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi në foltore të Kuvendit emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Njëjtë, si Osmani, edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca përmendi sakrificën e UÇK-së, por jo ish luftëtarët që gjenden në Hagë.
“Trungu ynë u ujit me gjakun e UÇK-së, e cila zhvilloi luftë të drejtë dhe mbrojtëse. Kjo ishte luftë e domosdoshme e popullit tonë, e cila u kurorëzua me pavarësinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e përqendroi fjalimin e tij me nota mirënjohjeje dhe falënderimi për ndërkombëtarët që e kanë mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj për liri.
“Mirënjohje dhe respekt për aleatët tanë e ndihmuan popullin tonë nga shtypja drejt lirisë. Gëzuar 17 shkurtin dhe urime 15 vjetori i pavarësisë së Kosovës.”- tha ndër të tjera Kurti.
Në seancë, ishte i pranishëm edhe presidenti Shqiptar, Bajram Begaj i cili theksoi se Kosova është një shtet i pavarur, pavarësisht se si vepron Serbia.
“Kosova është shtet i lirë e i pavarur, sido që të veprojë Serbia. Qeveria serbe nuk është distancuar nga agresori dhe as ka ndaluar aktivitetin e saj kundër njohjes së republikës së Kosovës”, tha Begaj.
Dita nisi me një mbledhje festive të Qeverisë në orën 08:00 të mëngjesit dhe u pasua me ngritje solemne të flamurit të Kosovës. Më pas u bënë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, te Adem Demaçi dhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”. Pas përfundimit të seancës solemne, mbahet një parakalim i trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës në sheshin e kryeqytetit.
Kremtimet e Ditës së Pavarësisë do të përfundojnë me një koncert përmbyllës.