Edhe në Kolonjë punonjësit e pushtetit vendor i janë bashkuar lutjes për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri. Kanë qenë punonjësit e bashkisë të cilët kanë ndezur secili nga një qiri në dritaret e institucionit, në formë lutje për gjithë shpirtrat e humbur nga fatkeqësia natyrore e ndodhur një javë më parë.
Homazheve u janë bashkuar me dhjetëra banorë të Ersekës të cilët në pedonalen e qytetit ndezën qirinj, duke u lutur të gjithë bashkë për ngushëllimin dhe shërimin e plagëve të familjeve që përjetuan këtë dramë njerëzore.
Edhe në Pogradec, në Odeonin e qytetit dhjetëra qytetarë si dhe përfaqësues të pushtetit lokal e punonjës të administratës kanë ndezur qirinj në përkujtim të viktimave të tërmetit të 6 shkurtit që preku Turqinë dhe Sirinë.
Me qirinj të ndezur janë rrethuar dy flamujt kombëtar të dy shteteve të prekura nga kjo fatkeqësi natyrore që morri dhjetëra mijëra jetë njerëzish.
Qeveria e Shqipërisë vendosi që 13 shkurti të ishte ditë zie kombëtare, ndërkohë flamuri shqiptar është ulur në gjysmështizë në të gjitha institucionet e vendit.


