Presidenti i republikës Bajram Begaj ka dënuar aktin e rëndë të dhunës ndaj gazetarëve të emisionit investigativ “Fiks Fare”. Në një postim në profilin e tij në facebook, Begaj ka kërkuar ndër të tjera nga institucionet përgjegjëse të vënë para përgjegjësisë autorët që kërcënuan gazetarët.
Më poshtë statusi i plotë
Mësova me keqardhje për kërcënimin me armë, ndalimin dhe dhunimin e ushtruar ndaj grupit të xhirimit të emisionit “Fiks Fare”, gjatë kryerjes së misionit të tyre hulumtues e denoncues në fshatin Nikël të Krujës.
Shpreh indinjatën mbi këtë akt të rëndë të dhunimit të punonjësve të medias, si dhe mbështes emisionin “Fiks Fare” në misionin, guximin dhe profesionalizmin që ka treguar në denoncimin publik të fenomeneve korruptive dhe dukurive që shqetësojnë shoqërinë shqiptare.
Inkurajoj organet ligjzbatuese ta ndjekin me përgjegjshmëri të lartë këtë rast flagrant të dhunimit të fjalës së lirë.
Kërcënimi i jetës së gazetarëve në ushtrimin e detyrës nuk duhet të tolerohet në një shoqëri demokratike!