Reshjet e dëborës së ditëve të fundit kanë sjellë turistë të shumtë në ski pistën e Dardhës, e cila nuk është më shumë se 15 km larg nga qyteti i Korçës.
Një pjesë jo e vogël e atyre që frekuentojnë këtë ski pistë janë familjarë të cilët vijnë nga qytete të ndryshme të vendit, për të argëtuar dhe për tu mësuar fëmijëve të tyre sportin e skive.
Duke qënë e vetmja në vendin tonë së ski pistën e Dardhës vijnë edhe të rinj e të rritur të apasionuar pas sporteve të dimrit.
Të gjithë, nga njëra anë pranojnë se ndihen të mrekulluar me ski pistën dhe bukurinë e Dardhës, por nga ana tjetër mendojnë se vendi ynë i ka të gjitha mundësitë natyrore për të pasur edhe ski pista të tjera, pasi gjithnjë sipas tyre nuk kanë asgjë më shumë ato të vendeve fqinje.
Kristi Xinxifi është instruktor i sportit dimëror të skive. Ai thotë se ski pista tërheq më së shumti turistë që janë në fillimet e tyre, por edhe të tjerë të cilët kanë eksperiencë në këtë sport.
Edhe Xinxifi ashtu si të tjerët ka mendimin se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të pasur pista të tjera për ushtrimin e këtij sporti.
Dikur vetëm në Korçë ka pasur jo më pak se pesë ski pista, tre prej të cilave në Voskopojë, ndërsa tani vetëm një dhe ajo është në Dardhë.

