Nuk ka asnjë të dhënë në aktakuzën e ngritur ndaj ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, të cilat e lidhin këtë të fundit me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, apo të cilat e përmendin vetë amerikanin për korrupsion.
E vetmja gjë për të cilën ai akuzohet, përtej lidhjes që ka me oligarkun rus, Oleg Deripaska, është ajo për deklarime të rreme dhe falsifikime dokumentesh.
Në Shqipëri madje, ai figuron si administrator i një kompanie (LAWOFFICE & INVESTIGATION), e cila është themeluar në vitin 2007, kohë kjo kur si kryeministër i vendit, shërbente kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Kjo kompani, me status momental rezulton si e pezulluar në vitin 2019.
Ajo ka si aksionerë shtetasin Shefqet Dizdari, me 25% të aksioneve, vetë McGonigal-in, shtetasin amerikan Mark Thomas Rossini, i cili po ashtu ka qenë një ish-agjent i FBI-së dhe Agron Nezajn.
