17.5 C
Tirana
10 / 11 / 2025

Reshje të dendura shiu dhe bore në veri, Buna del nga shtrati, përmbyten 275 HA në Shkodër

E PËRDITËSUAR – Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në Bashkinë Shkodër. Sipas raportit të mesditës së ditës së sotme, ka dalje të lumit Buna në Muriqan dhe Oblikë dhe sipërfaqja e përmbytur është 275 hektarë.

Niveli i lumit Drin (hidrometri ura e Bahçallëkut) shënon kuotën 6.20 metra me një rritje prej 15 centimetra me orën 08:00 të datës 18.01.2023 (kuota maksimale 7.50 metra).

Niveli i Liqenit (hidrometri ura e Bunës) shënon 7.55 metra me një rritje prej 15 centimetrash me orën 08:00 të datës 18.01.2023 (kuota maksimale 8.70 metra).

* * *

12:07 – Ashtu siç edhe pritej i gjithë territori i vendit vijon të mbetet nën pushtetin e reshjeve të shiut dhe të dëborës.

Sasinë më të madhe të reshjeve e kanë marrë qarqet Kukës dhe Shkodër, të cilat në zonat malore mbi 800 metra kanë qenë në formën e borës.

Reshjet me intensitet të lartë kanë sjellë fryrje të lumenjve dhe përrenjve, duke shkaktuar probleme me rëshqitjen e dherave dhe gurëve dhe duke krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve.

ARRSH njofton se po punohet në disa akse për pastrimin e rrugëve nga inertet, ndërsa punonjësit e OSHEE-së për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë në disa njësi administrative, kryesisht në qarkun e Shkodrës.

Si pasojë e reshjeve të dendura të borës në Bogë dhe Theth ka pasur dhe ortekë, por kompania kontraktore ka bërë të mundur mbajtjen të hapura të rrugëve me borëpastruese.

Intensiteti i lartë të reshjeve dhe prurjeve në kaskadën e Drinit ka bërë që KESH të vijojë me shkarkimet e kontrolluara, në mënyrë të veçantë nga hidrocentrali i Vaut të Dejës.

“Kanë vijuar shkarkimet, shkarkime të kontrolluara të cilat nuk përbëjnë problem për situatën, por njëkohësisht është  një masë paraprake, parandaluese për të përballuar edhe situatën e pritshme nëse reshjet do të kenë dendësi”, tha Pëllumb Dani, kreu i Emergjencave në Shkodër.

Pavarësisht shirave dhe shkarkimeve nga hidrocentralet, deri më tani nuk raportohet për përmbytje. Sipas autoriteteve vendore niveli në Liqenin e shkodrës dhe Lumin e Bunës është rritur me disa centimetra, por pa rrezikuar përmbytje.

Situata e motit të keq ka pezulluar lundrimin në Portin e Durrësit, teksa tragetet drejt Barit dhe Ankonës nuk u nisën as këtë mëngjes.

Autoritetet bëjnë të ditur se situata është nën monitorim, pasi prurjet në lumenj pritet ta arrijnë pikun në datën 20 Janar.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x