Kryeministri Edi Rama ka mbledhur mbrëmjen e sotme në një takim drejtorët e policive të qarqeve. Takimi po zhvillohet në Vilën 30 në Tiranë, ndërsa mësohet se i pranishëm është edhe kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Ky takim i Ramës me drejtorët e policive vjen në vazhdën e mbledhjes që kreu i qeverisë ka bërë me të gjitha ministrat. Pritet që në këtë takim të bëhet një analizë e punës së drejtorive në çdo qark, si edhe të paraqiten objektivat për vitin 2023.
Policia e Shtetit mbylli një vit të gjatë ngjarjesh dhe sfidash në 2022, ndërsa për herë të parë u regjistruan më pak se 50 vrasje, konkretisht 43. Edhe për këtë vit janë disa sfida që duhet të përballet, mes tyre edhe zgjedhje lokale të majit, për të gatantuar sigurinë publike në fushatë elektorale.
Ndërkohë që ende mbetet e pazbardhur zhdukja e Ervis Martinajt, që prej 9 gushtit të vitit 2022. Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u shpreh sot se kjo çështje nuk mund të zgjidhet me shkop magjik dhe se Policia e Shtetit po punon çdo ditë për të hedhur dritë mbi zhdukjen e Martinaj.