Një fillimvit intensiv duket ky për kryeministrin Edi Rama, i cili pas mbledhjes së fundit maratonë me kabinetin e tij, sot u ndal në Presidencë. Për rreth 1 orë e 20 minuta, kreu i qeverisë zhvilloi bisedë këtë të premte me presidentin Bajram Begaj, të cilin e informoi mbi çështjet kryesore të këtij viti qeverisës. Po ashtu folën për të përgatitur mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar dhe ndryshimet e ambasadorëve në misionet diplomatike.
Pasi u largua nga Presidenca, kryeministri u ndal te Pallati i Kongreseve, ku mblodhi drejtuesit e institucioneve. Të pranishëm ishin edhe ministra e deputetë, mes të cilëve Etjen Xhafaj, Damian Gjiknuri dhe Pandeli Majko. Ndërkohë në orën 13:00, nisi takimi me krerët politikë të qarqeve, i cili zgjati për rreth 4 orë.
Këto takime vijnë pas mbledhjes maratonë për 16 orë e 25 minuta të kreut të qeverisë me ministrat, me të cilët bëri bilancin e vitit 2022 dhe projektet për 2023 që është edhe vit zgjedhjesh.
Në fund të fjalës së tij në mbledhje, kreu i qeverisë tha se ka një synim të qartë sa i takon parashikimit për fitimin e zgjedhjeve lokale. “Mbi bazat e 2022 kemi arsye të besojmë se 2023 do ta bëjmë tërmet”, tha Rama duke nënkuptuar fitimin me rezultat të thellë në zgjedhjet lokale të 14 majit.