Vazhdojnë të mbeten të bllokuara rrugët në veri të Kosovës edhe pas ndërrimit të masës së sigurisë nga Gjykata për ish policin serb Dejan Pantiç, nga paraburgimi në arrest shtëpie. Bllokada më e fundit është ajo pikës kufitare në Merdare, duke vështirësuar qarkullimin e emigrantëve.
Kryeministri Albin Kurti në një reagim për mediat shprehu habinë ndaj vendimit të dhënë nga gjykata ndaj ish-policit Pantiç, i cili akuzohet se sulmoi zyrtaret e Komisionit të Qendrës së Votimit më 6 Dhjetor.
Kurti ka thënë se nuk do të negociojë me kriminelët, për të cilët ka thënë se e kanë vendin në burg.
I biri i ish-policit meritat për këtë lirim ia atribuon presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Vetë Vuçiç ka paralajmëruar për diçka të madhe që mund të ndodhë brenda 15 ditësh.
“Edhe nëse qetësohet situata do të ndodhë diçka e re brenda 15-30 ditësh, sepse qëllimi i Prishtinës është largimi i Serbisë nga “Kosova dhe Metohia” përgjithmonë”, u shpreh ai.
Presidenti serb ka urdhëruar që ushtria të jetë në gatishmëri të plotë lufte, ndërsa një ditë parë bëri një vizitë blic në bazën ushtarake në Rashkë dhe ka paralajmëruar një takim me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë.