Në rrugën e Drilonit tashmë ka nisur puna për lotin e 2-të të këtij aksi kaq të rëndësishëm. Qeveria Shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit pas investimit të lotit të parë ka financuar pjesën tjetër të rrugës lidhëse deri në Doganën e Tushemishtit.
Ky investim rrugor kalon pranë fshatit Guras, më pas mbi kodër, për të përfunduar në doganë.
Kryetari i Bashkisë Ilir Xhakolli i shoqëruar edhe nga Nën prefekti Luan Maxhari dhe Administratori Alfons Olldashi, kanë inspektuar nga afër punimet e këtij aksi i cili përmirëson tërësisht infrastrukturën rrugore të zonës, duke dhënë impakt të drejtpërdrejtë edhe për fshatin Guras, i cili bashkë me përfshirjen në investimin tjetër gjithashtu, atë të Parkut Ujor Drilon, do të ketë mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit familjar.
Rruga krahas lidhjes me doganën ka edhe dy dalje në drejtim të Tushemishtit. Afati i përfundimit të punimeve është 10 muaj.



