Një nga formacionet artistike, që përcjell vlerat e trashëgimisë sonë kulturore, Ansambli Artistik “Skënderbeu” i Korçës, ka sjellë kartolinën e urimit të fundvitit.
Djemtë dhe vajzat e talentuara të këtij ansambli nëpërmjet interpretimit virtuoz kanë përcjellë për artdashësit, krijimtarinë shpirtërorë të trevave të juglindjes dhe Shqipërisë së Mesme.
Interpretimi i tyre është shoqëruar nga orkestra e përbërë nga klarinetisti mjeshtri Zhani Struga dhe instrumentisti Nexhildo Sula, në llahutë mjeshtrat Agron Murati dhe Tomor Selimi, në fizarmonikë Olsi Ahmeti, Erjon Marku në violinë dhe në dajre e lodër Altin Laloti.
Për udhëheqësin artistik të Ansamblit, Mjeshtri i Madh Josif Minga, përmes këtij koncerti, përpiqen të ringjallin të rijetëzojnë, materiale të tabanit të traditës shqiptare
Kjo mbrëmje është çelur me performancën e këngëtares së re tepër të talentuar Erika Ahmet e cila interpretoi këngën “Erë trëndelinë”.
Kësaj mbrëmje të veçantë i është bashkuar këngëtari i mirënjohur Dhimitër Disho i cili ka interpretuar këngët “Çeli Manushaqja”, “Shamia e ushtarit” dhe më pas është ndjekur nga perfomanca e ansamblit me valle dardhare dhe atë të Kapo Beut.
Këngën, titullin e së cilës, mori edhe kjo mbrëmje “Hapi lulja, mori dhenë” e ka interpetuar këngëtarja Flavia Zere, ndërsa më pas, këngëtarët kanë performuar së bashku.
Nuk kishte si të mungontë në këtë mbrëmje të veçantë që përcjell traditën e vendit tonë, këngëtarja e mirënjohur korçare Laxarela Deti.
Ky ansambël ka sjellë një kornizë të re për artin, duke ndërthurur muzikën popullore, atë qytetare dhe vallet tradicionale.
Me koreografi të artistit Bardhi Pojani, regji të Blerta Belliut dhe nën udhëheqjen artistike të Josif Mingës, kjo shfaqje që bëri bashkë traditën e këngëve popullore me vallen, spektaklin dhe baletin ka mrekulluar publikun që mbushi plot sallën e teatrit të Korçës.
Koncerti i mbajtur në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” tregoi se vendi ynë, ka një traditë të pasur me këngë e valle.