Të premten, Japonia ka miratuar ndryshimin më të madh në çështjet e mbrojtjes që nga Lufta e Dytë Botërore. Bëhet fjalë për një udhërrëfyes i ri për dekadën e ardhshme, në të cilin objektivi është të përmbajë ngritjen ushtarake të fqinjit të tij, Kinës, dhe të ruajë pozicionin e dominimit të Shteteve të Bashkuara në rajonin Azi-Paqësor.
Kjo kthesë do t’i lejojë vendit japonez të nisë “kundërsulmet” në tokat e armikut, pas disa dekadash të një kulture më të fokusuar në vetëmbrojtje. Tre dokumentet e miratuara këtë të premte nga ekzekutivi japonez përfshijnë gjithashtu një rritje prej 50% të shpenzimeve ushtarake për pesë vitet e ardhshme. Para që, sipas mediave lokale, do të shkojnë për blerjen e rreth 500 raketave Tomahaëk të prodhimit amerikan dhe shpenzime për mbrojtjen nga raketat.
Ken Jimbo, një profesor në Universitetin Keio, e sheh këtë strategji të re ushtarake si “një nga ndryshimet më të rëndësishme në Japoninë e pasluftës”, që vjen si nevojë për t’iu përshtatur një skenari në të cilin “epërsia ushtarake e Tokios dhe veçanërisht e SHBA-së, aleati i saj kryesor dhe garantuesi i mbrojtjes së saj kundër Kinës, nuk mund të merret më si e mirëqenë”.
Një përgjigje ndaj përparimeve të fundit nga Kina, e cila ka forcuar aftësitë e saj kundër anijeve, balistikës dhe raketave lundruese. Së bashku me një dominim në rritje të luftës kibernetike, nga Japonia ata i frikësohen një “bllokimi të mundshëm ajror dhe detar në rajon” nga Pekini. Në këtë mënyrë, thotë eksperti, Tokio kërkon të garantojë se “Shtetet e Bashkuara mund të vendosin asete dhe të kenë akses operacional në një zonë të mundshme lufte”. Ndër skenarët e mundshëm, ai përmend një pushtim teorik të Tajvanit.