Plani i kryeministrit Rishi Sunak për dëbimin e emigrantëve që hyjnë në Britani pa leje nuk po përkrahet nga organizatat e të drejtëve të njeriut. Kundër tij, ka dalë edhe Rrjeti i të Drejtave të Migrantëve, një shoqatë kjo me seli në Londër, dhe që mbron veçanërisht shqiptarët.
Mënyra se si do të trajtohen emigrantët shqiptarë në Britani, me planin Sunak është është shqetësuese, madje edhe cnjerëzore. Kërkesa për të kthyer menjëherë emigrantët që hyjnë ilegalisht mund t’i japë pikë politike kryeministrit britanik, por nga ana tjetër shpërfill jetëë të familjeve dhe komuniteteve të pambrojtura.
Kjo deklaratë vjen nga Rrjeti i Të Drejtave të Emigrantëve, një organizatë e vendosur në Londër, e që trajton rastet e emigrantëve që kërkojnë mbrojtje në ishull.
“Ndër masat e shumta çnjerëzore që ai shpalli, ne jemi veçanërisht të shqetësuar nga retorika e dëmshme e qeverisë dhe për të veçuar njerëzit nga Shqipëria. Ne i bëjmë thirrje qeverisë që të ndalojë planet për të “përshpejtuar” kërkesat e shqiptarëve për azil dhe deportimin e njerëzve në Shqipëri bazuar në pohimet e pabaza se ajo është një i ashtuquajtur “vend i sigurt”, thuhej në deklaratë.
Duke sjellë përvojat e rasteve që trajton, kjo organizatë, thotë se shumë njerez nga Shqipëria janë viktima të trafikimit e dhunës, dhe dëbimi do t’i rikthejë ata në të njëjtën zonë rreziku.
“Ne qëndrojmë kategorikisht kundër planeve për të rritur pragun e skllavërisë moderne, të cilat kanë potencialin për të vënë në rrezik mijëra njerëz dhe për t’i mbajtur ata në kushte shfrytëzuese. Ne duhet ta transformojmë rrënjësisht këtë sistem armiqësor, racist në një sistem të përqendruar rreth dhembshurisë, dinjitetit dhe njerëzimit. Në kërkim të kësaj, ne qëndrojmë në solidaritet me shqiptarët dhe të gjithë ata që kërkojnë siguri dhe një jetë të re”, thuhet ndër të tjera.
Rishi Sunak prezantoi të martën planin për të mbyllur kanalin e La Manshit dhe për të mos lejuar hyrjet ilegale, ndërsa një ditë më pas një varkë me më shumë se 40 emigrantë u mbyt në det.