Anëtari i Rithemelimit, Van Rica është paraqitur sot në gjykatën e Kurbinit, pasi akuzohet se qëlloi me armë të dielën në darkë në selinë e PD-së dega Kurbin, pas një sherri të momentit me nënkryetarin e degës, Kastriot Markun. Rica do të njihet sot me masën e sigurisë, pasi akuzohet për 3 vepra penale “Armëmbajtje pa leje” “Kanosje” dhe prishja e qetësisë publike. Mësohet se çështja do të gjykohet nga prokuroria Matilda Fetahu dhe gjyqtar Olsi Skrame.
Si ndoodhi ngjarja?
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës rreth orës 17:30 në degën e Partisë Demokratike në Kurbin. Van Rica, i cili mbështeste kandidatin Edmond Shkoza, kishte kërkuar anëtarësimin e disa simpatizantëve. Kërkesa e 53-vjeçarit është kundërshtuar nga nënkryetari i degës së Partisë Demokratike Kastriot Marku me pretendimin se kishte përfunduar afati i anëtarësimeve. Në debat e sipër, Van Rica ka qëlluar me armë zjarri pistolete në drejtim të derës së sallës ku po zhvillohej mbledhja dhe më pas është larguar, ndërsa fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Pas disa orësh në arrati policia arriti të prangosë mëngjesin e së martës, 53- vjeçarin Rica, i cili rezulton të jetë punonjës i një policie private në Laç.