Moti i keq dhe reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje dheu këtë mëngjes rreth orës 5 në ishullin Ischia, në brigjet e Napolit në Itali.
Dymbëdhjetë persona rezultojnë të zhdukur për momentin, sipas prefektit të Napolit, Claudio Palomba, ndërsa dëmet janë shumë të konsiderueshme. Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi tha se nuk është arritur të konfirmohet nëse ka pasur viktima.
Sipas agjencisë së lajmeve Ansa, rrëshqitja e dheut zbriti nga mali prapa fshatit të ishullit, siç ndodhi në nëntor 2009, dhe tërhoqi zvarrë gurë dhe mbeturina që shkaktuan shembjen e të paktën 10 ndërtesave.
Janë rreth 30 familje të ngujuara me gjithsej 100 persona që janë pa ujë dhe energji elektrike. Rruga që të çon në banesat e tyre aktualisht është e pakalueshme për shkak të baltës.