Ambasadorja e re e Greqisë në vendin tonë, Konstantina Kamitsi, ditën e sotme i paraqiti letrat kredenciale presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj.
Ka qenë Begaj ai i cili përmes një postimi në “Twiter”, ka vlerësuar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe vullnetin për t’i thelluar më tej marrëdhëniet.
“Pranova sot Letrat Kredenciale nga Ambasadorja e re e Greqisë, Sh.S.Znj. Konstantina Kamitsi. Vlerësova bashkëpunimin mes dy vendeve dhe vullnetin për t’i thelluar më tej marrëdhëniet e fqinjësisë së mire”, shkruan Begaj.
Duke iu referuar procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, Begaj nënvizoi se mbështetja e Greqisë ka qenë domethënëse, veçanërisht gjatë presidencave greke të BE-së në vitin 2003 dhe 2014, me ndikim për procesin e zgjerimit si për Shqipërinë ashtu dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor në tërësi.
Më tej kreu i shtetit e konsideroi minoritetin grek në Shqipëri dhe komunitetin shqiptar në Greqi si ura të forta miqësie e bashkëpunimi midis dy vendeve e dy popujve.