13.7 C
Tirana
22 / 11 / 2026

Rama në Shtëpinë e Alfabetit në Manastir: Këtu nuk u vendos për luftë e kufij, por për gjuhën që bashkoi shqiptarët

Kryeministri i Shipërisë, Edi Rama, ka vizituar Shtëpinë Muze të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, në Maqedoninë e Veriut, qytetin historik ku 118 vite më parë u hodhën themelet e alfabetit tonë kombëtar.

Gjatë vizitës, Rama vlerësoi rëndësinë historike të këtij objekti, duke e cilësuar atë si një simbol të identitetit, kulturës dhe bashkimit të shqiptarëve.

“​Në historinë e Ballkanit ka plot shtëpi ku burra të rëndësishëm, ose më pak të rëndësishëm, janë ulur rreth një oxhaku për të vendosur për një luftë, për një kufi apo për një gjak të marrë ose të falur.

Ndërsa këtu në këtë shtëpi, 118 vjet më parë, njerëzit u ulën rreth një tryeze për të vendosur si do t’i shkruanin njëri-tjetrit nga Manastiri në Shkodër, nga Prishtina në Vlorë, apo nga Durrësi në Korçë, ku secili mund të kishte mësuar ta hidhte shqipen në letër me shkronja të ndryshme.

Dhe nëse kjo ishte një telash për dy dijetarë që donin të shkëmbenin letra, merret me mend se çfarë pengese ishte për një komb që s’kishte shkolla, s’kishte libra dhe asnjë gjuhë të shkruar bashkërisht për fatin e vet të përbashkët.

Këtu erdhën në ato ditë njerëz malesh, luginash e brigjesh deti, që faleshin në mënyra të ndryshme, që e flisnin shqipen me regjistra të ndryshëm dhe që, kur vinte puna te alfabeti, kishin parapëlqime krejt të ndryshme për shkronjat që do të merrnin përparësi. Në fund, Kongresi pranoi dhe i hapi rrugën një tjetër uljeje rreth oxhakut shumë dekada më vonë, kur gjuha shqipe u njehsua në trupin që sot e gjithë ditën mbart bashkë kombin tonë.”, u shpreh kryeministri.

Shtëpia Muze e Alfabetit në Manastir ruan kujtesën e Kongresit të Manastirit të vitit 1908, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë kombëtare shqiptare, ku u vendos për alfabetin e përbashkët të gjuhës shqipe.

Kjo trashëgimi historike vijon të përcillet ndër breza si një simbol i gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x