Një deputet i majtë në Parlamentin francez foli në seancë për problemet e emigrantëve që kalojnë Mesdheun. Por një deputet i ekstremit të djathtë reagoi duke bërtitur: “Të kthehen në Afrikë!”.
Më pas, kaosi përfshiu sallën e Parlamentit dhe thirrjet për dëbimin e ligjvënësit nga Grupimi Kombëtar.
Reagimi ishte i paqartë, pasi deputeti ekstremist mund t’i referohej si emigrantëve që vijnë në Evropë, edhe kolegut të majtë, me origjinë nga Kongo.
“Ndërsa po bënte këtë pyetje, deputeti i Grupimit Kombëtar i bërtiti kolegut duke i thënë që të kthehet në Afrikë. Sot, e djathta ekstreme tregoi fytyrën e vërtetë”, tha Mathilde Panot, deputete nga Franca e Pabindur.
“Racizmi nuk ka vend në demokraci. Por nuk jam unë ajo që merr masat, është zyra kombëtare”, u shpreh Elizabeth Borne, kryeministre e Francës.
“Nuk do të parashikoj se cilat do të jenë sanksionet, por situata është serioze dhe duhet diskutuar sa më parë bashkë me masat që do merren”, theksoi Yaël Braun-Pivet, kryetare e Parlamentit.
Tani do të jetë Parlamenti, ose Asambleja Kombëtare, që do të shqyrtojë masat ndaj deputetit Grégoire de Fournas, autor i deklaratës raciste.