Ka reaguar Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, pas polemikave të shkaktuara nga transmetimi i këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë koncertit të organizuar në prag të “Forumit të Zgjerimit” në Bruksel.
Ajo ka shprehur keqardhje për përzgjedhjen e saj, duke theksuar se muzika e luajtur nuk përfaqëson qëndrimet e Komisionit Evropian.
“Shpreh keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Kjo këngë në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian.
Jemi të vetëdijshëm për sakrificat e njerëzve në atë pjesë në të kaluarën. Nuk po kërkojmë të harrohen dallimet, por po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk do të jenë arsye për të penguar të ardhmen”, deklaroi Kos.
Interpretimi i muzikës së këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e cilësuar si nacionaliste, në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel më 15 nëntor, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë dhe më gjerë. Forumi organizohet nga Komisioni Evropian nën udhëheqjen e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos.
Muzika e këngës u interpretua nga grupi slloven “Kapobanda”. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, reagoi duke e cilësuar ngjarjen si shqetësuese.
“Është thellësisht shqetësuese që në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel të interpretohet muzika e një kënge nacionaliste serbe që promovon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës”, shkroi Haxhiu.
Ajo shtoi se një forum që synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian nuk duhet të transmetojë mesazhe që bien ndesh me parimet e paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit të shteteve.
- “Shqetësuese!”- Kënga nacionaliste serbe në aktivitetin e BE, Haxhiu: Bie ndesh me parimet europiane të paqes, presim sqarim nga KE! - 16/11/2026
- Kënga serbe në eventin e BE, Kos kërkon falje: Nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian - 16/11/2026
- Forumi i Zgjerimit, Von der Leyen: Shqipëria, progres domethënës drejt anëtarësimit në BE - 16/11/2026