14.6 C
Tirana
10 / 11 / 2026

Historia nuk pranon krahasime të padrejta

Nga Ilir Cani


Në dokumentarin “Gratë nën diktaturë” me autore Fatmira Nikolli dhe Jonila Godole, dëshmitë e kohës sjellin në vëmendje plagët e thella të një periudhe që la pas dhimbje, internime dhe shkatërrim jetësh. Megjithatë, mes rrëfimeve tronditëse, një deklaratë e aktores Rajmonda Bulku ka ngritur pyetje dhe debate të forta. Ajo u shpreh se në atë periudhë ajo ka bërë një “jetë tmerrësisht mjerane”, duke e krahasuar atë me kushtet e vajzës së diktatorit Enver Hoxha. Por sa qëndron ky pretendim kur përballet me faktet e ftohta të realitetit komunist?

Për të kuptuar peshën e fjalës “mjerim”, duhet parë linja e jetës së aktores gjatë regjimit totalitar. Rajmonda Bulku ishte një nga aktoret më të pranishme në kinematografinë shqiptare të asaj kohe, ka interpretuar dhjetëra role kryesore në filma që u shfaqën në ekranet e mbarë vendit.

Në atë sistem diktatorial ku ideologjia artistike dikujt tjetër i kushtoi lirinë apo jetën, pasi të ishe pjesë e elitës artistike, promovuar nga vetë shteti komunist ishte privilegj i rrallë. Kinematografia e asaj kohe nuk ishte thjesht art, ishte instrumenti kryesor i propagandës së regjimit, dhe aktorët e zgjedhur gëzonin status social, vëmendje dhe mundësi që qytetari i thjeshtë nuk mund t’i ëndërronte kurrë.

Për më tepër, Bulku ndoqi dhe përfundoi studimet e larta, një e drejtë që shpesh u mohohej me dashje mijëra të rinjve shqiptarë vetëm për shkak të “biografisë së keqe”. Përtej karrierës artistike, jeta e saj personale u lidh me martesën e saj me një arkitekt, i cili vinte nga një familje e privilegjuar e regjimit komunist në Shqipëri. Babai i të cilit, Josif Pashko ka qenë një nga prokurorët që ka dhënë vendime me vdekje…

Ky kombinim,  vijon me karrierën e shkëlqyer artistike të saj, jo se vinte nga shtresë e persekutuar politike, por arsimi i lartë dhe lidhja familjare brenda shtresës së preferuar të nomenklaturës të kohës, e vendosi atë në një pozicion diametralisht të kundërt me atë që mund të thotë publikisht se ka bërë një “jetë tmerrësisht mjerane”.

Termi “mjerim” merr një kuptim krejt tjetër kur vendoset në kontekstin e vërtetë historik të grave shqiptare nën diktaturë. Ndërsa Bulku shijonte dritat e skenës dhe komoditetet e një familjeje të favorizuar nga sistemi, mijëra gra të tjera po përjetonin ferrin e vërtetë nen diktaturë. Për to, diktatura nuk ishte një krahasim me jetën e fëmijëve të diktatorit, ishte mbijetesë e përditshme në kufijtë e mizorisë.

Deklarata e aktores Rajmonda Bulku kur flet për “mjerimin” e saj, duke qenë vete pjesë e pakicës së përkëdhelur të artit dhe kulturës shqiptare, përbën një fyerje ndaj kujtesës kolektive. Pasi ballafaqimit me të kaluarën e saj komuniste, dhe privilegjet e dikurshme të diktaturës nuk mund të vishen me petkun e viktimizimit, sepse historia e dhimbjes së vërtetë nuk pranon krahasime të padrejta. /TemA

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x