Disa aeroporte evropiane janë përfshirë nga alarmet për kërcënime të dyshuara me bombë këtë të enjte, duke vënë në lëvizje autoritetet e sigurisë dhe duke shkaktuar devijimin e disa fluturimeve. Në disa raste, avionët civilë janë shoqëruar nga avionë ushtarakë deri në uljen e tyre.
Një nga incidentet u shënua në një fluturim të kompanisë irlandeze Aer Lingus, i nisur nga Dublini në drejtim të Romës. Pas marrjes së një kërcënimi të dyshuar me bombë, avioni ndryshoi kurs dhe u ul në mënyrë të sigurt në Évreux të Francës, nën shoqërimin e avionëve ushtarakë francezë.
Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, bëri të ditur se në bord ndodheshin 151 pasagjerë dhe gjashtë pjesëtarë të ekuipazhit, të cilët u evakuuan pa rrezik. Në aeroport ndërhynë edhe ekipet e specializuara për çaktivizimin e mjeteve shpërthyese.
Paralelisht, autoritetet italiane u përballën me disa alarme të ngjashme. Sipas raportimeve të mediave italiane, kërcënime u regjistruan ndaj dy fluturimeve me destinacion Romën dhe një tjetër të nisur nga Milano. Një avion nga Helsinki drejt kryeqytetit italian u ul i sigurt, i shoqëruar nga avionë luftarakë italianë.
Një tjetër rast u raportua nga kompania finlandeze Finnair, e cila njoftoi për një kërcënim me bombë ndaj një fluturimi nga Helsinki drejt Vjenës, të operuar nga Jettime. Edhe ky avion u ul pa incidente në kryeqytetin austriak.
Alarmet u shtrinë edhe në Republikën Çeke, ku policia njoftoi se katër fluturime drejt Pragës ishin përballur me kërcënime të tilla. Autoritetet e aeroportit u vunë në gatishmëri për mbërritjen e avionëve.
Ndërkohë, në Bullgari, Ministria e Transportit raportoi kërcënime me bombë ndaj tre fluturimeve të Ryanair me destinacion Sofjen. Dy avionë, të nisur nga Kopenhaga dhe Madridi, u ulën në kryeqytetin bullgar, ndërsa fluturimi nga Londra u devijua drejt Plovdivit.
Kjo valë alarmesh vjen vetëm dy ditë pas një serie incidentesh të ngjashme, kur rreth 10 fluturime në Evropë morën kërcënime me bombë. Ngjarjet e së martës shkaktuan edhe mbylljen e përkohshme të aeroportit të Varshavës dhe ngritjen e avionëve ushtarakë në Itali.
Qeveria britanike i cilësoi këto kërcënime si “dashakeqe dhe të rreme”. Megjithatë, autoritetet e vendeve të prekura vijojnë verifikimet dhe zbatimin e protokolleve të sigurisë.
Deri tani, nuk raportohet për persona të lënduar apo për zbulimin e mjeteve shpërthyese në avionët e përfshirë.
- Rama: Nesër hapim dritaren e dialogut! Tre grupe studentësh u penguan me dhunë të vinin në takim me mua - 05/11/2026
- Qiejt e Evropës nën terror, dhjetëra alarme për bomba! Devijohen fluturimet dhe ngrihen avionët luftarakë - 05/11/2026
- Begaj merr progres-raportin nga ambasadorja e BE: Të angazhuar që negociatat të mbyllen në 2027, anëtarësimi në 2030 - 05/11/2026